Partia Demokratike ka akuzuar Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit se po mbajnë të bllokuar procesin e dekriminalizimit. Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi tha se PD do të kërkojë asistencën dhe ekspertizën e Komisionit të Venecias lidhur me paketën e amendamenteve të dekriminalizimit.
“Prej 3 javësh, Edi Rama dhe Ilir Meta, gjithashtu, refuzojnë të sjellin ekspertët e tyre pranë komisionit të dekriminalizimit, megjithë kërkesat tona të vazhdueshme.
Nuk ka më asnjë dyshim, se Edi Rama dhe Ilir Meta nuk kanë asnjë grimcë vullneti për të bërë dekriminalizimin. Jo vetëm kaq, por e pengojnë dhe e bllokojnë atë në mënyrë sistematike.
Arsyet janë të dukshme, kërkojnë që dekriminalizimi të mos bëhet, dhe posaçërisht dekriminalizimi të mos bëhet para zgjedhjeve të 21 qershorit, dhe pasojat po i shohim”, ka thënë deputeti Bylykbashi.