Seanca e sotme parlamentare u zhvillua në një klimë të tensionuar dhe me debate të forta dhe të ashpra kryesisht mes kryeparlamentarit Ilir Meta dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.
Tensioni në këtë seancë ishte i paralajmëruar nga opozita pas deklaratave publike të deputetit Tom Doshit që përfshinin emrin e kryeparlamentarit Meta si urdhërues të një atentati të mundshëm ndaj tij dhe kolegut demokrat Mhill Fufi 6 muaj më parë. Pas mbledhjes së grupit parlamentar të thirrur nga lideri i opozitës Basha, deputeti Edi Paloka artikuloi në emër të grupit kërkesën për dorëheqjen e Metës dhe vënien e tij para drejtësisë.
Paloka: Vendosu në dispozicion të drejtësisë dhe nëse je i pafajshëm kthehu aty ku je. Por nuk mundesh. Në 21 Janar prej teje donin të digjinin Shqipërinë, ndërsa sot të mbrojnë. Shpresoja që të vija dhe të gjeja Dulen por paturpërsia është në kulmin e saj. Kupola e mafias është prapa nesh. Ju që jeni tronditur deri në themel nga ajo që ndodh, ja ku i keni mbrapa. Kërkesa është që ju të mos qëndroni në atë karrike. Të japësh dortëheqjen dhe të largohesh.
Meta: Nuk e kuptoj kërkesën tuaj. Ju keni bërë një kërkesë për shkarkim, mblidheni Këshillin e Legjislacionit. Tjetër gjë nuk bëj dot.
Paloka: Zotëri nuk po të themi se je vrasës, po të themi diçka të thjeshtë, largohu. Fakti që pret Ministri i Brendshëm 3 ditë, dhe me paturpësi thotë se nuk fola të hënën sa të shuhej zhurma. Por është i akuzuar direkt.
(Meta kërkon 5 minuta pushim por deputetë e mazhorancës ngrihen dhe rrethojnë foltore)
Meta: Të njoftohet urgjenca dhe shërbimi i shëndetit mendor.
Pasi kanë ndjekur pjesën e parë të seancës së Kuvendit, ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian, me në krye shefen e delegacionit të BE Romana Vlahutin, kanë lënë ambientet e Parlamentit.
Kërkesa për dorëheqjen e kreut të Kuvendit është artikuluar disa herë edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha i cili theksoi se në të kundërt në vend do të krijohet kaos. Por Meta i është kundërpërgjigjur duke lëshuar akuza direkte ndaj djalit të tij, Shkëlzen Berishës, duke thënë se për të nuk mund të japë dorëheqjen për herë të dytë.
Berisha: Duhet të japësh menjëherë dorëheqjen sepse akuzohesh për urdhërim për vrasjen e dy deputetëve. Je akuzuar për akuzën më të rëndë në historinë e Parlamentit shqiptar. Drejtësia të bëjë pastaj hetimin për këtë çështje. Kisha denoncuar tentativën për eliminim ndaj Tom Doshit. Unë kisha dijeni 3 muaj më parë që vrasjen Meta do ma faturonte mua. Jep dorëheqjen sa më parë.
Meta: Po ti zotëri e paske ditur para 3 muajsh dhe nuk e ke denoncuar?
Berisha: E kam denoncuar në parlament.
Meta: Vazhdo se e nise si lider demokracie dhe po e mbaron si aksioner pularie. Ky mezi po priste të ndodhte vrasje brenda mazhorancës.
Berisha: Nëse mezi po prisja je i pamend sepse nuk do ta denoncoja në Parlament. Unë nuk kam instrument tjetër. Akti i parë që bëri i akuzuari, që u akuzua direkt nga viktima, tha këtë e ka Sali Berisha. Fajin e ka Saliu. Tani për t’i rënë më shkurt, unë mendoj se në këtë moment kritik për vendin duhet t’i japim shans hetimit sepse unë mbetem njeri i vendosur tek ligji. Sepse është në interesin absolut që t’i japim ligjit mundësinë të zbatohet. Ky është kushti më minimal… Saimir Shullazi, doli pasi e përpunoi Bamin e tij, doli e përbalti nga Prokurori i Përgjithshëm e gjithë botën, për të shpëtuar Ilir Metën. Situata është kritike. Ne kërkojmë që Ilir Meta si i akuzuari kryesor, për një akuzë të padëgjuar në 25 vite, të heqë dorë nga Kryetari i Parlamentit, të kthehet deputet dhe të bëhen hetimet. Për ne politikisht sa më gjatë ta mbani aq më shumë do të kundërmojë. Ne nuk kemi interesa politike, por të qytetarëve.
Berisha: Hapi rrugën hetimit, jep dorëheqjen, mos shfrytëzo votat e krimit. Je kokë e qelbur.
Meta: Ruaje zërin. Jepjani ilaçet sepse kemi përgjegjësi për shëndetin e doktorit. Zoti Beqaj merrni masa.
Berisha: Jep dorëheqjen.
Meta: Të ta jap përgjigjen? Përgjigja është kjo, për ty bëj çdo sakrificë, po për Shkëlzen Berishën jo. E dhashe një herë dorëheqjen, nuk mund ta jap dy herë për Zenin. Mos u bëj pjesë e pucit të pularisë me Doshin dhe Priftin si aksioner.
Meta: Për ty bëj çdo gjë por jo për Zenin. Ti je i vetmi që beson më shumë tek Doshi se sa tek Prokuroria.
Berisha: Kjo alibi është e turpshme. Po qeshin deputetët e mazhorancës për marrëzinë që thua. Tom Doshi nuk ka asnjë lidhje, dhe sdo të ketë lidhje. Tom Doshi është njeriu që ti e merrje me helikopter dhe fluturoje Alpeve.
Meta: Këto janë përrallat e supergjyshit që ia tregon supermbesës.
Berisha: Më mirë jep dorëheqjen mos e ço vendin aty ku nuk duhet.
Meta: Ulu doktor se nuk ke moshë ti për të ngrohur vezët e krimit.
Ndërkaq në ambientet e Kuvendit ka mbërritur deputeti i Partisë Demokratike Mhill Fufi i cili edhe një herë konfirmoi për mediat se nuk është marrë asnjëherë në mbrojtje nga shteti.
Sërish seanca është ndërprerë për shkak ë tensioneve në sallë, ndërsa edhe pas rinisjes së saj deputetët e opozitës sërish kanë qenë në këmbë duke bllokuar foltoren.
Fjalën e ka marrë deputeti socialist Paulin Stërkaj i cili duke iu drejtuar ish-kryeministrit Berisha ka thënë “po më përdore dhe mua për viktimë është keq puna.”
Berisha: Në komisionin e dekriminalizimit në mbledhjen para tre ditësh mazhoranca erdhi me konkluzionin se kolegët e PD duhet të bien dakord që çdo lloj konkluzioni ta nxjerrim në fund. “Të inkriminuar ne nuk kemi në parlament” ky është konkluzioni i tyre, tani flisni për të inkriminuar.
Meta: Procesin e dekriminalizimit do e çoni ju para me Tomën dhe Bamin në krye.
Stërkaj: Po dhash informacione unë kam frikë se nuk është mirë, e falenderoj kryeministrin që më ka përmendur dhe e lexoj drejt. Më fal Berisha po më bërë një shantazh të vogël por unë nuk i ha shantazhet. Janë 100 mesazhe nga shkodran dhe malësor, bravo të lumtë goja. Ata më duan fort, edhe ty të duan por nuk të kuptojnë se nuk je mirë këto kohët e fundit.
Më pas ka folur edhe kreu i Republikanëve Fatmir Mediu duke kërkuar sërish dorëheqjen e Metës nga posti që mban.
Mediu: Mendoj që sot të tregohemi të përgjegjshëm si debatojmë. Ja u them sinqerisht se do të dëshiroja që gjithë ato akuza të ishin të pavërteta, sepse do të tejkalonim juntat ushtarake. Ajo që vë re është tendenca e vazhdueshme për të manipuluar. Dikur, kur ka ndodhur tragjedia e Gërdecit, kam dhënë dorëheqjen që Prokuroria të bëjë hetimet dhe të nxjerrin të vërtetën. Shumë hodhën baltë, por në raste të tilla është shumë i rëndësishëm raporti me qytetarët. Ajo që është me e keqja është se këtu përgjegjësi nuk mund të flitet nga pikëpamja funksionale.
Mediu: 6 muaj Ministria e Brendshme u mor me atë që mund të ishte kriminel. Nuk ka ndodhur kurrë. Ti jap përgjigje edhe tablosë së Ministrit. Po zotëri Fation Skënderi ka qenë pjesë e PR nga 1991-1993 kohë kur ky ministri yt luante me kukulla. Edhe përmendja është e qëllimshme.
Meta: Këtë e ka thënë Toma.
Mediu: Ta thashë këshillën siç ma ke dhënë. Është serioze që ky kuvend të analizojë krimin që ka bërë shteti.
Meta: E para zoti Fatmir është shumë e vërtetë që iu kam këshilluar dorëheqjen. E bëra në planin shoqëror dhe personal. Dakord më the por si do të bëhet me samitin e NATO që mund të mos pranohet Shqipëria. Këtu janë vrarë 30 vetë të thashë. Ka një dallim të madh sepse për fat të madh Tomën e kemi shëndoshë si molla. Madje që sot do t’i bëj kërkesë policisë që të ketë vëmendje të jashtëzakonshme ndaj deputetëve që të mos ketë shqetësime dhe probleme të tilla. Të jap dorëheqjen kur deputetët i kemi shëndosh e mirë, dhe kur janë skenarët e Agim Ramës, Tonit të PR apo edhe Durim Bamit, kjo më duket tepër absurde dhe tepër kriminale. Nuk mund të lejoj të instalohet një precedent kriminal ku çdo deputet mund të akuzojë këdo. Logjika juaj është e kristaltë, dyshja Rama-Meta do të vrisnin dy deputetët për të destabilizuar vendin dhe Berisha të vinte në pushtet. Që tani Halimi të mbledhë Këshillin e Legjislacionit. Nuk jap dorëheqjen se nuk mund të lejoj të vijë një tjetër këtu dhe të mos i japë fjalën doktorit.
Berisha: Lidhjet e krimit i konsideron forcën tënde. Por unë dhe një herë të them: Jep dorëheqjen dhe lër drejtësinë të të gjykojë. Ajo kokë e qelbur që qëndron në krye të Parlamentin po kundërmon jo vetëm në Shqipëri, jo në Evropë dhe në botë.
Meta: Jepjani ilaçet urgjent
Berisha: Mos mendo se do ta kalosh këtë që i bëre vendin duke kaluar nga një alibi në një tjetër, duke zëvendësuar Prokurorinë dhe gjykatat me Shullazin.
Meta: Ulu tani se po të merret goja. Unë dua që ai ta ruajë imazhin e vet.
Berisha: Gjej minimumin e kurajos dhe largohu nga Kryetari i Parlamentit. Për të shpëtuar nga ajo që ke bërë, ke vënë Shullazin Prokuror dhe çdo gjë
Berisha-Ramës: Mos fol nga mbrapa ti, po të duash dil aty e fol kur të mbaroj. Mos ki merak se ty të ka rekrutuar tani me këtë lidhje dhe ti nuk del dot. Po ne kemi punë me Metën, ai është problemi se është i akuzuari për dy vrasje.
Berisha-Metës: Unë të kam akuzuar 10 herë ty.
Meta-Berishës: Çoji letrat në Prokurori.
Berisha: Jep dorëheqjen sepse je person i akuzuar për dy vrasje. Nuk ka drejtësi që të heton ty Kryetar Parlamenti.
Meta: Normal se ti nuk je akuzuar asnjëherë për vrasje. Nuk më pëlqen kur doktori përsërit vetveten. Vazhdojmë me rrjedhën normale.
Berisha përgjatë gjithë fjalës së tij ripërsëriti kërkesën për dorëheqjen e Ilir Metës nga Kuvendi dhe përballjen me drejtësinë përballë akuzave për dy vrasje që deputeti Doshi ka artikuluar kundër tij. Kryeparlamentari Ilir Meta ndërsa i ka kaluar me ironi deklaratat e Berishës, i kujtoi ish-kryeministrit se edhe ndaj tij janë bërë akuza për vrasje. Meta vendosi të vijojë rrjedhën normale të seancës duke hedhur në votim projektligjet e rendit të ditës, ndërsa gjatë momentit të votimit, deputetët e opozitës godisnin tavolinat me mausin e kompjuterëve.