PD, kërkesë Metës: “Dekriminalizimi” të miratohet të enjten

Partia Demokratike i ka dërguar këtë të martë kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, një kërkesë për të vënë në zbatim ligjin e dekriminalizimit.

Sipas një njoftimi për shtyp nga selia blu, grupi parlamentar i PD i ka kërkuar Kuvendit që aktet nënligjore që mundësojnë vënien menjëherë në veprim të këtij ligji të miratohen në seancën e së enjtes, më 25 shkurt.

Advertisement

“Edhe pse sekretari amerikan i Shtetit e cilësoi dekriminalizimin si histori suksesi dhe si model që duhet ndjekur, Edi Rama vazhdon të ndajë pushtetin me Ndokën, Bushin, Roshin, e së fundmi i hapi rrugën rikthimit në Parlament të Armando Prengës, i cili me dorën e tij, me armë pa leje, përgjaku qytetarët brenda komisariatit të policisë”, thuhet më tej në njoftimin e PD.

Partia më e madhe e opozitës paralajmëron se, “në kushtet kur Edi Rama po dëshmon çdo ditë mungesë vullneti për zbatimin e dekriminalizimit dhe përkrahje të hapur për të inkriminuarit e tij në parti dhe në poste publike, Partia Demokratike do të kushtëzojë çdo funksionim normal të Parlamentit me miratimin këtë të enjte të vendimit që vë në zbatim ligjin e dekriminalizimit”.