Partia Demokratike akuzon Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, se kanë patur dijeni për kërkesën e Interpol Brukselit dhe se e kanë shfrytëzuar atë për të kapur dëshmitarin kyç Mark Frroku, për ta përdorur sipas interesit të tyre, në procesin hetimor ndaj Ilir Metës.Nëpërmjet nënkryetarit, Edmond Spaho, PD shton, se ‘fshehja e kërkesës së Interpol Brukselit, nuk mund të bëhej pa urdhërin e Saimir Tahirit dhe Edi Ramës. Ata janë përgjegjësit e vërtetë, autorët e vërtetë të këtij akti të rëndë në kundërshtim me ligjin’.
Spaho, duke e quajtur skandal këtë ndodhi, theksoi se e gjitha kjo dëmton Policinë, Shtetin, demokracinë dhe imazhin e vendit tonë.
“Vetëm një transparencë e plotë, dhe një llogaridhënie e plotë, dhe një përgjegjësi e plotë e Edi Ramës dhe Saimir Tahirit, është përgjigja e duhur ndaj kësaj situate të paprecedentë. I pari që duhet të japë dorëheqjen sot, është Saimir Tahiri”, theksoi Spaho.
“Numëruesi i parë në zgjedhjet e 23 qershorit, tregoi sot se është gati të bëjë gjithçka për të marrë në mbrojtje shefat e tij, Saimir Tahiri dhe Edi Rama, duke marrë mbi vete përgjegjësinë për një prej skandaleve më të mëdha të policisë, që është fshehja e kërkesës së Interpol Brukselit për deputetin Frroku.
Por kjo është një përpjekje e dëshpëruar. Gjithkush e di, çdo qytetar i vendit e di mirë, se për kërkesën e Interpol Brukselit, ka pasur dijeni Ministri i Brendshëm, ka pasur dijeni Kryeministri. Atyre madje u ka leverdisur kjo kërkesë dhe e kanë shfrytëzuar për të kapur dëshmitarin kyç Mark Frroku, për ta përdorur sipas interesit të tyre në procesin hetimor ndaj Ilir Metës, i akuzuar për porositjen e vrasjes së dy deputetëve.
Fshehja e kërkesës së Interpol Brukselit, nuk mund të bëhej pa urdhërin e Saimir Tahirit dhe Edi Ramës. Ata janë përgjegjësit e vërtetë, autorët e vërtetë të këtij akti të rëndë në kundërshtim me ligjin.
Ky skandal i padëgjuar më parë ka dëmtuar Policinë, Shtetin, demokracinë dhe imazhin e vendit tonë.
Vetëm një transparencë e plotë, dhe një llogaridhënie e plotë, dhe një përgjegjësi e plotë e Edi Ramës dhe Saimir Tahirit, është përgjigja e duhur ndaj kësaj situate të paprecedent.
I pari që duhet të japë dorëheqjen sot, është Saimir Tahiri.”