Partia Demokratike depozitoi sot në Gjykatën Kushtetuese ankimimin për ligjin e Vettingut pasi sipas saj ky ligj është kaluar në shkelje të konsensusit dhe parimeve themelore të së drejtës. Deputeti Oerd Bylykbashi, u shpreh për mediat se kryeministri Rama po synon të kapë sistemin e drejtësisë. “Me ligjin që kaloi me 30 gusht, duke shkelur Kushtetutën, Edi Rama kërkon që kontrollin e gjyqtarëve, Vetingun, ta bëjnë zyrtarët e lartë të PS, ta bëjë Alket Hyseni i cili është garanti i Kushtetutës së PS dhe e dinë shumë mirë se çfarë ndodh atje. Edi Rama do që vettingun ta bëjë Arben Seferi, zyrtar tjetër i PS-së, pra me levat dhe instrumentet e e tij, të kontrollojë gjyqtarët të vendosë kush gjyqtar dhe prokuror të iki dhe më pas të caktojë ai gjyqtarët dhe prokurorët që do të hetojnë këtë kryeministër të korruptuar, për korrupsion”, ka thënë Bylykbashi. Sipas tij, ky është një krim kushtetues, në kundërshtim me standardet që ka përcaktuar Komisioni i Venecias.