Kodi i ri Rrugor tashmë ka hyrë në fuqi dhe pikët që ka secili prej nesh në patentë janë të zbritshme.
Kodi i ri Rrugor përmban 3 ndryshime thelbësore, që kanë të bëjnë me ruajtjen e rrugës, shtimin e disa klasave të patentave, si dhe sistemi i pikëzimit. Kodi i ri Rrugor përmban masa siguruese për rrugën, që do të thotë se rruga është një mjedis publik dhe duhet të mbrohet nga të gjithë qytetarët. Nëse dëmtohet kjo rrugë, Kodi përmban masa ndëshkimore, ndërsa parashikohen edhe disa masa parandaluese për dëmtimin e rrugës. Nga ana tjetër, patenta shqiptare shumë shpejt do të jetë e vlefshme me patentën europiane, që do të thotë se leja e drejtimit që marrim në dorë pas disa ditësh do të jetë e njëjtë me lejen e drejtimit që marrin qytetarët europiane, për nga elementët e sigurisë, si dhe do të shtohen disa klasa patente. Për të gjithë ata që tashmë e kanë një patentë, duke qenë se ajo ka një afat vlefshmërie, në momentin që e rinovon dorëzon patentën e vjetër dhe merr patentën e re. Kodi i ri Rrugor risi ka edhe sistemin e pikëzimit. Duke qenë se ka drejtues mjetesh që duke thyer rregullat rrezikojnë jetën e tyre dhe qytetarëve të tjerë me veprime e mosveprime, në Kod parashikohen masa. Për gabimet e tyre në Kodin e ri Rrugor, përveç masës me gjobë, shkeljet do të shoqërohen edhe me uljen e pikëve në patente. Leja e drejtimit që kemi sot ka gjithsej 20 pikë. Nëse policia të kap pa rrip sigurimi gjobitesh 10-20 mijë lekë dhe të hiqen dy pikë. Nëse kapesh me semafor të kuq përveç gjobës 140 mijë lekë, patentës i ulen 10 pikë. Nëse brenda 2 viteve patenta e çdo qytetari i humb pikët, atij i hiqet e drejta për të drejtuar mjet për një kohë të caktuar. Për të fituar këtë të drejtë, drejtuesi i mjetit do të ritestohet dhe nëse i kalon provat merr lejen e drejtimit. Së shpejti në faqen e Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor do të publikohet edhe regjistri elektronik për 740 mijë drejtues mjetesh në të gjithë vendin. Çdo qytetar që do të dijë të dhënat e patentës së tij do të kërkojë në këtë regjistër, ku duke shënuar të dhënat personale në një dritare do ti shfaqen edhe pikët që ka në patentë. Për çdo ankimim që ka qytetari do t’i drejtohet një organi të ngritur posaçërisht për shqyrtimin e ankesave të qytetarëve. Polici rrugor kur vendos një gjobë shkruan edhe numrin e nenit të thyer në rrugë dhe për çdo nen përcaktohet edhe numri i pikëve që hiqen. Nëse edhe pas ankimimit në organin e ngritur për shqyrtimin e ankesave të qytetarëve drejtuesi i mjetit nuk bie dakord me vendimin e dhënë, atëherë është Gjykata Administrative, ku qytetari mund të ankohet. Në momentin që ke humbur pikët përsëri nuk të hiqet e drejta dhe për një periudhë kohore njëmujore lejohet të lëvizësh. Por gjatë këtij muaji do të jesh regjistruar për t’u kualifikuar.