Pas The Weeknd, edhe Drake flet kundër Grammy-t

Drake jo vetëm që mbështeti publikisht The Weeknd pas deklaratës së tij për Grammy Awards 2021, por në të njëjtën kohë edhe iu kundërvu akademisë, e cila jep çmimet të konsideruara si më prestigjozet në industrinë e muzikës.

Përmes një postimi në Instagram, Drake shkroi: “Mendoj se duhet të ndalojmë së habituri çdo vit për këtë shkëputje të muzikës me ndikim dhe këtyre çmimeve dhe të pranojmë që ajo çfarë ishte më parë forma më e lartë e njohjes, të mos ketë rëndësi për artistët që ekzistojnë tani dhe ata që do të vijnë më pas. Është pak a shumë si një i afërm për të cilin ti pret që të ndryshojë, por ai nuk rregullohet.”

Advertisement

Drake etiketoi gjithashtu disa artistë të cilët sipas tij u injoruan nga Grammy, si Lil Baby, PartyNextDoor, Popcaan dhe i  ndjeri Pop Smoke. Nicki Minaj ishte një nga artistet që ripostoi deklaratën e Drake. Kujtojmë se më parë ajo ka ironizuar akademinë.

“Nuk e harroj kurrë që Grammy nuk më dha çmimin e Artistit të Ri më të Mirë kur kisha 7 këngë në të njëjtën kohë të renditura në Billboard, më shumë se çdo repere tjetër femër në dekadën e fundit. Ata ia dhanë një njeriu të bardhë, Bon Iver,” shkroi ajo në Twitter.