Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka shpallur zgjedhje të parakohshme, ndërsa vendi po përballet me një valë protestash për krizën e strehimit dhe të drejtat e qiramarrësve. Zgjedhjet e ardhshme ishin planifikuar fillimisht për verën e vitit 2027.
Sanchez pranoi se qeveria “bëri gabime” dhe nuk ka arritur gjithçka që kishte synuar të arrinte, ndërsa i justifikoi veprimet e saj duke deklaruar se “për të bërë më shumë”, duhet të “ripërtërijë dhe zgjerojë mbështetjen e popullit”.
Vendimi vjen pas javësh protestash në qytete të ndryshme të vendit, ku mijëra qytetarë kanë kërkuar masa më të forta për mbrojtjen e qiramarrësve dhe përballimin e rritjes së kostove të banimit.

Të shtunën, rreth 50 marshime u zhvilluan në qytete si Madrid, Barcelona dhe Valencia. Në qendër të Madridit, protestuesit kanë ngritur kampe në sheshin Puerta del Sol, duke e kthyer krizën e strehimit në një nga çështjet kryesore të debatit publik.
Protestat mbarëkombëtare nisën muajin e kaluar pas rastit të një 87-vjeçareje në Madrid, e cila u dëbua nga banesa e saj pas një rritjeje të ndjeshme të qirasë. Për shkak të një boshllëku ligjor, qiraja e saj u rrit nga 500 euro në 2,650 euro. Më vonë, shuma u ul në 1,650 euro, por edhe kjo mbetet rreth 300 euro më shumë se pensioni i saj mujor.
Kriza është përshkallëzuar edhe pas dështimit të qeverisë së koalicionit të majtë për të miratuar legjislacionin emergjent për strehimin. Paketa parashikonte pezullimin deri në vitin 2030 të dëbimeve për qiramarrësit në vështirësi, si dhe rritjen e taksave për apartamentet e përdorura për qëllime turistike.
Në paketë përfshihej gjithashtu një dekret për rinovimin automatik të kontratave të qirasë, një kërkesë e mbështetur nga pjesë të së majtës dhe Sindikata e Qiramarrësve.
Deputetët spanjollë rrëzuan një prej dekreteve me 178 vota kundër dhe 172 pro, ndërsa një dekret tjetër u hodh poshtë me 184 vota kundër dhe 166 pro.
Përballë presionit në rritje për krizën e strehimit dhe mungesës së një shumice të qëndrueshme parlamentare, Sánchez ka vendosur t’ua rikthejë qytetarëve vendimin përmes zgjedhjeve të parakohshme.

