Parku i Liqenit, PD: Nuk ka leje për projektin

Partia Demokratike depozitoi të martën në prokurori fakte të reja ‘për paligjshmërinë e ndërtimit’, siç thotë ajo, që bashkia e Tiranës po bën brenda parkut të Liqenit. “Sot dorëzuam përsëri plotësim me fakte të reja të kallëzimit penal për kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj dhe nëpunësit e tij në Bashki”, tha për mediat sekretari i Aksionit Qytetar, Ervin Salianji.
Kryebashkiaku Erion Veliaj, vijoi ai, pretendon se ka marrë një leje ndërtimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit më datën 12 shkurt 2016. Por, sipas Salianjit, më 14 shkurt, kryetari Veliaj dhe nënkryetari Mazniku, deklaruan se leja e ndërtimit është në proces, ç’ka tregon se nuk ka pasur leje ndërtimi. “Kemi dyshime të arsyeshme që ashtu siç falsifikoi firmën e punonjësit bashkiak për gjobën, të njëjtin falsifikim ka bërë edhe për lejen e ndërtimit në këtë rast”, tha Salianji.
Ndërtimi nga bashkia i një këndi lojrash për fëmijë në zonën e parkut të liqenit artificial të Tiranës ka shkaktuar ditët e fundit protesta të forta nga ana e opozitës, e mbështetur dhe nga perfaqesuesit e shoqerise civile. Nga ana e tyre zyrtarët e bashkisë i konsideruan sjelljet e protestuesve si ‘akte vandale’, që pengojnë zhvillimin e qytetit.

Advertisement