Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka inspektuar të shtunën punimet e parkingut publik te sheshi “Italia” si dhe ka deklaruar se Bashkia e Tiranës do të ketë një rrjet parkingjesh në kryeqytet.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj ndërsa inspektonte punimet e parkingut publik sheshi “Italia” është shprehur se “Sheshi ka marrë një pamje krejt të re. Në pak javë, Bashkia e Tiranës ka mundur ta shndërrojë atë, nga një ambjent i shkatërruar, i lënë pas dore dhe me gropa, në një hapësirë me infrastrukturë moderne, e cila do të shërbejë si parking publik, të ardhurat e të cilit do t’i shkojnë qytetit si investim. “Një ambient, i cili për katër vite ishte një hapësirë e rrënuar, brenda pak ditësh do të shndërrohet në parking publik me pagesë nën administrimin e bashkisë. Them me pagesë sepse bashkia ka nevojë për fonde, por lajmi i mirë është se çdo e ardhur nga parkingu publik i bashkisë do të investohet në korsi biçikletash dhe gjelbërim për qytetin”, eshte shprehur Veliaj.
Po ashtu, ai ka theksuar se “parkingu që po ndërtohet do të jetë në dispozicion qytetarëve, sidomos të atyre që vizitojnë kodrat e Liqenit Artificial apo zonat përreth, të cilët do të kenë një mundësi më shumë për një vend parkimi për makinën e tyre. Ky është projekti i parë i një rrjeti parkingjesh në qytetin e Tiranës, të cilat Bashkia do t’i sistemojë gjatë gjithë këtij viti”.
Nga ana tjetër kryebashkiaku Veliaj ka bërë të ditur se krahas investimeve për parkingje, Bashkia e Tiranës ka si synim të sajin të nxisë sa më shumë lëvizjet që nuk ndotin ambientin në Tiranë. Ndaj, ai bëri të ditur se në 18 tetor bashkia dhe organizatat që mbështesin nismat ambjentaliste, do të organizojnë një tjetër ditë pa makina.