Partia Demokratike thotë se Kryeministri Edi Rama ka hequr dorë nga detyrimi kryesor që ka si kryeministër në detyrë, për të ofruar rend e siguri dhe se provon çdo ditë se prioriteti i tij nuk janë qytetarët dhe fatet e tyre, por garantimi i biznesit të drogës.
“Në funksion të biznesit të drogës Edi Rama ka shtrirë inkriminim e drejtuesve të Policisë, siç raportohet edhe nga qytetarë dhe punonjës me integritet të Policisë së Shtetit. Drejtori i Qarkut Durrës, Perlat Cullhaj, bashkë me shefin e Komisariatit Krujë, Erjon Ismaili drejtojnë dhe kontrollojnë territorin dhe trafikun e hashashit në gjithë malësitë e Krujës, duke vjelë 30 përqindëshin e parave për çdo rrënjë kanabis për shefin e madh në Tiranë. Ata kanë sigurisht një aleat të mirë për këtë biznes kriminal, që është kryetari i Bashkisë, Bushi i famshëm, i proceduar në Itali për trafik droge”, tha në një dalje për mediat, nënkryetari i PD-së, Edi Paloka.
Sipas Palokës këta persona sigurojnë kalim të lirë të mallit për në Itali në Portin e Durrësit, përmes Drejtorit të kufirit, Boge Budini dhe zëvendës drejtorit të Kufirit, Moisi Sula.
“Aranit Arapi, Drejtor i Qarkut të Gjirokastrës, vegla qorre e Ramës, gardiani besnik i plantacioneve dhe hambarit të madh të drogës që shtrihet në gjithë zonën, veçanërisht në vendlindjen e ministrit të brendshëm. Dritan Lenja është proceduar nga shërbimi i kontrollit të brendshëm për shkelje, abuzime dhe lidhje me narkotrafikun. Me lobimin e fuqishëm të Armando Prengës, ai vjen në krye të policisë së Qarkut të Lezhës, deputetit të Edi Ramës që gjakosi qytetarët në derën e komisariatit të Kurbinit. Kushëriri i afërt i Tahirit, që ishte drejtor në Lezhë, Alban Çela, shkon me ngritje, drejtor i Policisë së Qarkut Shkodër”, shtoi Paloka.
Sipas opozitës, këto janë shenja sesi inkriminohet Policia e Shtetit, sipas nevojave të baronëve të drogës. Nga ana tjetër Policia e Shtetit i ka kërkuar Partisë Demokratike që të ndalë “luftën e përditshme politike kundër punës dhe rezultateve të saj”.
“Në respekt të opinionit publik, por edhe punës së pakursyer të trupës policore, rikujtojmë se politika nuk bëhet duke sulmuar policinë, por duke mbështetur përpjekjet e saj kundër krimit dhe paligjshmërisë. Është shqetësuese përsëritja e përditshme e sulmeve dhe baltës kundër Policisë, në një kohë që Policia është përditë në betejë me krimin”, lexohet në komunikatën e Policisë së Shtetit.
“Kur Policia është kundër krimit, PD-ja është kundër Policisë. Edhe më shqetësues bëhet ky fakt, teksa rezultatet kundër kultivimit të drogës rriten. Kjo luftë që nisi në pranverën e viti 2014 në Lazarat e që vazhdon përditë edhe sot, është një histori suksesi që Policia e Shtetit po e shënon çdo ditë. Policia e Shtetit fton PD-në të denoncojë në Prokurori çdo informacion që zotëron për kultivimin e narkotikëve si dhe për çdo person të implikuar. Kjo ndihmon shumë më tepër sesa balta e hedhur përditë mbi Policinë e Shtetit”, lexohet më tej në komunikatë.