Paloka: Nuk kishim asgjë për t’u pajtuar me Kryeministrin

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka reagoi sot ndaj deklaratave të Kryeministrit Edi Rama pas seancës së parë në Gjykatën e Lartë, të çështjes që lidhet me padinë e Kryeministrit Edi Rama ndaj kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, për shpifje dhe fyerje nën akuzat e lidhjes me krimin.

Duke iu referuar mospjesmarejs së tij në seancën e sotme, Paloka u shpreh në një prononcim për mediat se, “ajo seancë quhet seancë e pajtimit. Ne nuk kishim asgjë për të pajtuar me Kryeministrin Rama. Ai si duket ishte i pranishëm meqënëse mua nuk më çon dot Koço Kokëdhimën për t’u pajtuar, ishte i pranishëm në gjyq”.

Advertisement

Edhe Kryeministri Rama, në përfundim të seancës së pajtimit mes palëve, deklaroi se “për mua nuk ka asgjë për t’u pajtuar, sepse kjo nuk është personale dhe nuk është një akuzë e ngritur për një mosmarrëveshje mes një personi dhe një personi tjetër”.

Kryeministri Edi Rama kallëzoi penalisht Edi Palokën në muajin janar të këtij viti, duke e akuzuar për shpifje. Padia erdhi pasi kreu i grupit parlamentar të PD-së artikuloi akuza publike ndaj Kryeministrit Rama për lidhje me krimin, e veçanërisht me Emiljano Shullazin, një emër jo pak i njohur për drejtësinë shqiptare.