Pallati 11 katësh që prish kordonin arsimor

Këshilltari i Kryeministrit për Kulturën, Artan Shkreli ka denoncuar sërish lejen e ndërtimit të një pallati 11 katësh mes Shkollës së Mesme të Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi” dhe shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”.

“Kemi lajmëruar që në krye të herës se ndërhyrjet që Basha po bën në zonat më sensitive të kryeqytetit, janë ndërhyrje të cilat kanë një karakter destruktiv mbi kryeqytetin. Kjo këtu është një tjetër vilë që humbet kryeqyteti, është një tjetër vilë që humbet “Rruga e Elbasanit”, mbas disa vilave që humbën edhe më përpara.”
Duke e cilësuar këtë zonë si me sensibilitet të madh për sa i përket institucioneve edukuese, z. Shkreli tha se Shtëpinë e fëmijës, ky objekt e fundos përfundimisht me lartësinë dhe distancën e tij.
“Kjo tregon që z. Basha i cili është një kryetar i avulluar tashmë i Bashkisë së Tiranës ka vrarë keq çdo lloj ekspertize në bashki, aq sa nuk gjendet një specialist apo një teknik i vetëm që t’i tregojë atij se kjo që po ndodh prapa shpinës sonë nuk bën, jo vetëm për trashëgiminë e qytetit, jo vetëm për mësuesit apo nxënësit, por nuk bën as për banorët e Tiranës”, u shpreh Shkreli.

Advertisement