OSHEE sqaron lidhur me problemin e pagesës përmes shërbimit postar

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike informon opinionin publik se në kuadër të punës për rivendosjen e ligjshmërisë në konsumin e energjisë është ndeshur me raste kur klientë të kompanisë pretendojnë ti kenë kryer pagesat përmes shërbimit të Postës Shqiptare por ato nuk janë të reflektuara në sistem.

Për ti dhënë zgjidhje kësaj problematike, përmes një grupi të përbashkët pune me Postën Shqiptare është duke u kryer një proces tërësor rakordimi të dhënash për periudhën 2010-2014. Deri më tani, pranë zyrave të OSHEE-së rezultojnë 5833 ankesa të abonentëve për këtë fenomen ndërsa u është dhënë zgjidhje 2034 prej tyre. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike fton qytetarët që konstatojnë këtë problem, të tërheqin pranë Postës Shqiptare një kopje të mandatit të arkëtimit që kanë bërë dhe të paraqiten në zyrat e Kujdesit ndaj Klientit të kompanisë. Për rastet kur qytetarët kanë kryer pagesën por ajo nuk është përcjellë drejt kompanisë së shpërndarjes, OSHEE do të kërkojë këtë shumë financiare nga Posta Shqiptare. Në rastet kur shuma mund të jetë derdhur por nuk është pasqyruar në sistem, korrigjimi do të kryhet nga OSHEE. OSHEE garanton qytetarët se asnjë abonent që arrin të provojë se e ka kryer pagesën përmes shërbimit të Postës nuk do të penalizohet dhe as detyrohet të ripaguajë faturat. Ndërkaq, për ata abonentë që me mandatin e arkëtimit provojnë se kanë paguar brenda afateve kohore faturat përmes shërbimit të Postës Shqiptare, por rezultojnë me kamatë në sistemin e OSHEE, ajo do të fshihet dhe qytetarët nuk do të figurojnë debitorë.

Advertisement