OSBE/ODIHR, raporti i parë për zgjedhjet: Procesi, i qetë. Vërejtje për kuadrin ligjor.

Misioni i monitorimit të OSBE/ODHIR-t, së bashku me Kongresin e Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës, nuk dha një vlerësim të prerë për zgjedhjet e 21 Qershorit, por gjetën disa defekte.

Në një konferencë shtypi ambasadorja Audrey Glover, e cila drejtoi misionin e vëzhgimit të OSBE/ODHIR, u rezervua të jepte një konkluzion përfundimtar për atë çfarë ndodhi më 21 Qershor, por tha se pas 60 ditësh do të publikohet raporti përfundimtar.

Glover, për të cilën ky ishte misioni i tretë në Shqipëri, e vuri theksin në problematikat me kuadrin ligjor dhe KQZ-në.

Advertisement

“Kuadri ligjor mund të ofronte bazën për zgjedhje demokratike, megjithatë ato nuk u arritën për shkak të mungesës së vullnetit për ta zbatuar atë me efektivitetin dhe politizimin që përshkoi institucionet zgjedhore në vend. KQZ-ja përgjithësisht funksionoi në mënyrë të hapur. Natyra e diskutimeve të politizuara të KQZ-së shkaktoi mospajtime në lidhje me këto vendime, duke dëmtuar besimin e publikut në pavarësinë e administrimit zgjedhor”, thotë Glover.

Pati pretendime për shitje të votës tha, Stewart Dickson nga Kongresi e Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës.

“Çështja e blerjes së votës na u parashtrua nga partitë politike, përfshi kandidatët e pavarur përpara ditës së votimeve. Të dhënat e parashtruara ishin në formë akuzash. Nga ato çfarë vëzhguesit tanë panë ditën e votimit, në këto akuza do t’i marrim në konsideratë duke i vendosur përballë fakteve që pamë në terren”, tha ai.

Ambasadorja Glover e pyetur nëse me këto zgjedhje Shqipëria fitoi një standard më të lartë krahasuar me lokalet e 2011-ës dha këtë përgjigje:

“Ne nuk krahasojmë një palë zgjedhje me një palë tjetër. Kur ne të publikojmë raportin tonë përdundimtarë, ju mbetet ju të bëni krahasim mes zgjedhjeve të shkuara dhe këtyre. Puna jonë e vetme është të komentojmë vetëm në ato që këmi parë dhe ndjekur gjatë këtyre zgjedhjeve”, deklaroi Glover.

Në raportin e ndërmjetëm të OSBE/ODHIR thuhet se, “në përgjithësi dita e zgjedhjeve vijoi në mënyrë paqësore në të gjithë vendin. Hapja e votimit u vlerësua në masën 25%  kryesisht për vonesat. Votimi u vlerësua pozitivisht në masën 93% të vëzhgimeve. Shqetësime u vunë re rreth kërcënimeve të mundëshme nga grupe të aktivistëve partiakë brënda dhe jashtë listës së votimit”.