Vizita e zëvendëskryeministrit të Kosovës në Beograd, Hashim Thaçi, për të marrë pjesë në konferencën “Ballkani perëndimor në integrimet evropiane”, është anuluar. Mediat serbe kanë bërë të ditur se organizata që ka ftuar Thaçin në konferencë më 24 prill ka njoftuar mediat se vizita e Thaçit është anuluar pasi organizta është kërcënuar dhe ka pasur presione të shumta.
Organizata për Rini dhe Arsim konfirmoi mbrëmjen e djeshme se anulimin e kanë bërë nën presion dhe kërcënime që kanë marrë ditëve të fundit, pasi i është bërë ftesë edhe ministrit të jashtëm të Kosovës që të marrë pjesë në konferencë.
“Që kur në media është publikuar axhenda e punës kemi marrë shumë presione nga forcat politike dhe kërcënime nga organizata të ndryshme, por edhe individë me qëllim që ai takim të mos mbahet”, thuhet në deklaratën e kësaj organizate.
Ftesat janë anuluar edhe për ministrat e punëve të Jashtme të Serbisë, Bosnjës dhe Maqedonisë.
“Vendimi për të tërhequr ftesat për ministrat i kemi marrë pas disa orë konsultimesh pas gjithë fushatës negative që kjo konferencë ka marrë, kjo është ndërhyrje në punët tona. Në të njëjtën kohë kjo nuk ndikon në mbajtjen e konferencës, e cila është shumë më tepër sesa pjesëmarrësit ku do t’i shpalosim punët tona të deritanishme”, thuhet në komunikatën e organizatës së rinisë.