Operacion i përbashkët antidrogë Shqipëri-Itali, arrestohen 14 persona

Shtatë persona kanë përfunduar në pranga gjatë një operacioni të antidrogës në Rimini të Italisë, të dyshuar si pjesëtarë të një organizate ndërkombëtare të trafikut të narkotikëve.

Operacioni i koduar “Free Flight” është fryt i bashkëpunimit të karabinierëve të Riminit, atyre të Brindizit dhe policisë shqiptare, shkruajnë mediat italiane.

Advertisement

Sipas hetuesve, grupi i goditur nga operacioni në fjalë importonte në Itali nga Shqipëria sasi të mëdha drogash të tipit marijuanë, të cilat ishin të destinuara për tregun italian.

Hetimet u koordinuan nga Drejtoria Rajonale e Antimafias së Bolonjës dhe Prokuroria e Riminit; në kuadër të tyre u sekustruan edhe 3 kuintalë e gjysmë hashash.

Lëndët narkotike transportoheshin drejt vendit fqinj, mes të tjerash edhe me avion, nga zona e Pishporos në Vlorë, e kishin për destinacion të gjithë rivierën e Romanjës.

Ndërkohë, bashkëpunimi me Drejtorinë Qendrore të Shërbimeve të Antidrogës ka sjellë edhe identifikimin e elementëve shqiptarë e italianë të fushës së krimit, që nuk janë të përfshirë vetëm në trafikun e drogës, por edhe në grabitjet e vilave e apartamenteve.

Përpos 7 të ndaluarve në Brindizi dhe dy të arrestuarve në flagrancë gjatë një vjedhjeje, hetimet kanë lejuar të përvijohet edhe struktura e aktivitetit kriminal, të drejtuar nga piloti shqiptar Vilson Lamaj, njeriu që kontaktonte sa me kultivuesit në Shqipëri, aq edhe me blerësin në Itali. E përpos kësaj, ai kujdesej edhe për pagesat e transportit.

Edhe Policia e Shtetit ka dhënë detaje për operacionin e përbashkët antidrogë me homologët italianë, ku janë arrestuar 14 persona. Policia e Shtetit njofton se grupi kriminal transportonte drogë nga Shqipëria në Itali me avion. Në Itali u sekuestruan 350 kg hashash. Operacioni i përbashkët i policisë sonë me atë italiane u shtri në Rimini dhe Brindizi.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, Ardian Çipa theksoi në një konferencë për shtyp se “për më shumë se një muaj janë identifikuar personat pjesëtarë të bandës dhe janë mbajtur nën vëzhgim”. “Vilson Lamaj ishte piloti i avionit që u nis nga Sevasteri. Sapo avioni ka mbërritur në tokën italiane, është ndaluar nga autoritetet”, tha Çipa, i cili shtoi se numri i të arrestuarve në këtë operacion është 14.

Të arrestuarit në Vlorë janë:

Neko Bruhamaj,
Fatos Bruhamaj,
Fadil Shahaj,
Igli Shahaj,
Sokol Lamaj dhe
Vladimir Zanaj, efektiv i policisë.

Ndërkohë, në Itali janë arrestuar:

Elizer Ahmetaj, 27 vjeç
Xhesian Ahmetaj, 21 vjeç
Arshi Ahmetaj, 29 vjeç
Artjon Lamaj, 29 vjeç
Kleo Lamaj, 30 vjeç
Bukurosh Këshilli, 25 vjeç
Virjon Imeraj, 32 vjeç.