Omicron mund të ‘dominojë dhe pushtojë’ botën në 3-6 muaj

Varianti i ri Omicron i Covid-it ka të ngjarë të “pushtojë të gjithë botën” në muajt e ardhshëm, sipas një mjeku të sëmundjeve infektive në Singapor.

Pavarësisht se vaksinat kundër këtij lloji mund të zhvillohen shpejt, ato duhet të testohen përgjatë një periudhe që zgjat tre deri në gjashtë muaj, për të provuar se mund të ofrojnë imunitet kundër variantit, tha të mërkurën Dr. Leong Hoe Nam nga Spitali Mount Elizabeth Novena.

Advertisement

“Por sinqerisht, Omicron do të dominojë dhe pushtojë të gjithë botën për tre deri në gjashtë muaj”, tha ai për “Street Signs Asia” të CNBC.

Delta, lloji që aktualisht përbën 99% të infeksioneve Covid, filloi të përhapej më shumë në shtetin indian të Maharashtra në mars 2021 dhe u bë dominues në shkallë globale brenda korrikut, sipas Reuters.

CEO i Moderna, Stephane Bancel, tha të hënën se do të duhen muaj për të zhvilluar dhe për të nxjerrë një vaksinë që targeton në mënyrë specifike variantin Omicron.

CEO i Pfizer, Albert Bourla, tha gjithashtu se vaksinat mund të jenë gati në më pak se 100 ditë, ose në pak më shumë se tre muaj.

“Ide e mirë, por sinqerisht, nuk është praktike,” tha Leong për një vaksinë që targeton në mënyrë specifike Omicron. “Ne nuk do të jemi në gjendje t’i nxjerrim me shpejtësi vaksinat dhe deri në momentin që ato do të dalin, praktikisht të gjithë do të jenë infektuar me Omicron duke pasur parasysh këtë infektueshmëri dhe transmetueshmëri kaq të lartë.”

Ekspertët nuk e dinë saktësisht se sa ngjitës është ky variant me një numër kaq të madh mutacionesh, por proteina spike e virusit – e cila kapet pas qelizave njerëzore – ka mutacione që lidhen me transmetueshmërinë më të lartë dhe me uljen e mbrojtjes së antitrupave.

“Tipi i këtyre mutacioneve tregon qartë se varianti i ri do të ketë një avantazh për sa i përket transmetueshmërisë dhe se mund të shmangë mbrojtjen imunitare që mund të merrnit,” tha eksperti amerikan i sëmundjeve infektive, Dr. Anthony Fauci, për “Meet the Press” të NBC të dielën.

Mbrojtja nga vaksinat aktuale

Thënë kjo, disa mjekë besojnë se vaksinat ekzistuese do të jenë në gjendje të ofrojnë njëfarë mbrojtjeje kundër variantit të ri.

Trupat tanë prodhojnë “një mori të tërë antitrupash të ndryshëm” si përgjigje ndaj vaksinave, tha Dr. Syra Madad, anëtare e Qendrës Belfer për Shkencën dhe Çështjet Ndërkombëtare.

“Unë mendoj se vaksinat tona aktuale do të rezistojnë deri në një masë të caktuar ndaj këtij varianti të ri,” tha ajo për “Capital Connection” të CNBC të mërkurën, duke sjellë në vëmendje faktin se vaksinat ishin në gjendje të siguronin mbrojtje edhe kundër variantit Delta.

“Varianti mund të zvogëlojë efektivitetin e vaksinës me disa nivele, por kjo akoma nuk është konfirmuar,” tha ajo. Vaksinat aktuale, së bashku me dozat përforcuese, duhet të vazhdojnë të ofrojnë një “nivel të mirë mbrojtjeje”, shtoi ajo.

Leong ra dakord se një regjim vaksinimi me tre doza do të mund të mbronte kundër të sëmururit rëndë, por theksoi se shumë vende kanë ende shifra të ulëta vaksinimi.

Ai tha se Omicron po “kërcënon të gjithë botën” me një rritje të papritur të rasteve, gjë që mund të sjellë mbingarkimin e sistemeve të kujdesit shëndetësor, edhe sikur vetëm 1% ose 2% e rasteve të përfundojnë në spital.

Omicron u zbulua për herë të parë në Afrikën e Jugut dhe u përcaktua si një variant shqetësues nga OBSH javën e kaluar. Që atëherë, ai është raportuar në disa vende të tjera, duke përfshirë Hong Kongun, Holandën dhe Portugalinë.

Gjithsesi, për momentin, Leong tha që ne duhet të vazhdojmë të bëjmë vaksinat, të mbajmë distancën, të vendosim maskën ​​dhe të mos shqetësohemi më tepër se ҫ’duhet.

Madad i bëri jehonë të njëjtit mesazh. “Ne duhet të vazhdojmë të zbatojmë masat e parandalimit të Covid-19 në vazhdimësi”, tha ajo. “Marrja e masave është realisht qasja më e mirë.”