Prej ditësh banorët e qytetit të Nju Jorkut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përballen me ajrin e rrezikshëm të shkaktuar nga zjarret në Kanada.
Nju Jorku për të tretën ditë është i mbuluar nga një re smogu, e cila ka vënë nën alarm për cilësinë e ajrit 50 milionë njerëz.
Qytetarët janë këshilluar të shmangin daljet jashtë dhe të mbajnë maska. Mediat e huaja ndajnë foto të skenës “apokaliptike” dhe autoritetet japin këshilla për të minimizuar rreziqet shëndetësore.
Shkak i smogut në Nju Jork janë bërë zjarret në Kanada, ku vendi po përballet me sezonin e tij më të keq të zjarreve në histori. Nxehtësia dhe thatësira kanë sjellë nisjen e sezonit të zjarreve në pyje më herët këtë vit.
Megjithëse zjarret në pyjet kanadezë janë të zakonshme për provincat perëndimore të vendit, sezonin më të keq të zjarreve po e përjeton këtë radhë provinca lindore Nova Scotia.
Vatra zjarri ka pothuajse në të dhjetë provincat dhe territoret e Kanadasë. Provinca Quebec duket se është më e prekura.
Cilësia e ajrit në kryeqytetin Ottaëa, që është pranë kufirit me provincën Quebec, cilësohet i një rrezikshmërie shumë të lartë, sipas indeksit të shëndetësisë së Kanadasë për Cilësinë e Ajrit.
Rreth 3.3 milionë hektarë pyje janë djegur tashmë, gati 13 herë më shumë se mesatarja e 10 viteve të fundit dhe mbi 120 mijë njerëz janë detyruar të lënë shtëpitë.