Koreja e Veriut nuk do të nënshtrohet asnjëherë para rezolutave krejtësisht të paarsyeshme kundër programit për pajisjen me armë bërthamore, u shpreh Jon Yong Ryong, sekretari i parë për misionin e Koresë së Veriut në Gjenevë, në një konferencë mbi çarmatimin. Ai deklaroi se mund të kishte bisedime për paqen dhe stabilitetin e gadishullit Korean, por jo diskutime mbi çarmatimin. Ai përmendi në konferencë provën e re bërthamore të kryer sot nga Koreja e Veriut. “Prova u zhvillua në kuadër të masave praktike ashtu si kundërveprimi për të mbrojtur sigurinë dhe sovranitetin e vendit”, theksoi Jon Yong Ryong. Shërbimi sekret amerikan njoftoi ndërkohë se Pheniani kishte ndërmarrë ndoshta një provë bërthamore prej disa kilotonësh. “Koreja e Veriut ndoshta ka kryer një provë bërthamore të nëndheshme pranë P’unggye sot, më 12 shkurt të vitit 2013”, theksuan burime nga Drejtoria e Shërbimeve Sekrete Kombëtare Amerikane, që kontrollon 16 agjencitë në vend. “Analizat e para tregojnë se fuqia e shpërthimit ishte prej rreth disa kilotonësh”, sipas burimeve zyrtare amerikane, që shtuan më tej se shqyrtimi i situatës po vazhdonte.