Nishani dekreton emërimin e tre ambasadorëve

Presidenti Bujar Nishani dekretoi të martën emërimin e tre ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë, rezidentë në selitë diplomatike në Itali, Turqi dhe Shtetin e Kuvajtit dhe jo rezidentë në disa shtete të tjera.

Sipas faqes zyrtare të Presidencës, Kreu i shtetit dekretoi emërimin e Anila Bitrit, ambasadore në Republikën e Italisë, rezidente, si dhe në Republikën e Maltës, në Republikën e San Marinos dhe pranë Organizatës Ndërkombëtare të Bujqësisë dhe Ushqimit “FAO”, jorezidente.

Advertisement

Me dekretin nr 9416, Presidenti dekretoi emërimin e Genti Gazhelit, ambasador në Republikën e Turqisë, rezident, si dhe në Republikën e Azerbajxhanit, në Republikën Islamike të Iranit, Republikën e Kirgistanit, Republikën Islamike të Pakistanit dhe në Republikën e Gjeorgjisë, jorezident.

Ndërsa Saimir Bala, me dekretimin e sotëm nga Presidenti, emërohet në detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Shtetin e Kuvajtit, rezident.

Dekretimi i tre diplomatëve, që do të përfaqësojnë Shqipërinë në këto vende, erdhi pas dhënies së pëlqimit nga komisioni i Jashtëm i Kuvendit.