Komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore është mbledhur të hënën në mbledhjen e parë konstituese, nën drejtimin e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.
Kryeparlamentari Meta në fjalën hapëse theksoi rëndësinë e kësaj reforme në jetësimin e rekomandimeve të raporteve përfundimtare të OSBE/ODIHR-t, të zgjedhjeve të vitit 2013 dhe atyre të 2015-s, me qëllim që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të jenë të standarteve të larta, ashtu siç duhet të jenë në një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.
Bashkëkryetari i maxhorancës në komision, Bashkim Fino shprehu besim në mbarëvajtjen e punës për reformën e ardhshme zgjedhore, në bashkëpunim me opozitën, mbështetur dhe në përvojën e Kuvendit në këtë drejtim.
“Do të mbajmë në konsideratë të gjitha rekomandimet e raporteve të OSBE/ODIHR të zgjedhjeve të fundit. Kha është e mjaftueshme dhe le të shpresojmë ky komision ta përfundojë reformën para se të nisemi me pushime. Do ishte mirë ta kishim kodin e ri shumë më përpara zgjedhjeve të ardhshme”, tha Fino.
Ndërsa bashkëkryetari demokrat, Oerd Bylykbashi e cilësoi një moment të rëndësishëm në punën e parlamentit nisjen e procesit të reformës zgjedhore, duke theksuar se nuk ka shumë kohë për të ndrequr të gjitha problematikat e zgjedhjeve në Shqipëri. Ai e vuri theksin tek nevoja e konsensusit dhe vullnetit politik.
“Suksesi i procesit të dekriminalizimit lidhet me suksesin e Reformës Zgjedhore. Shqipëria ka bërë hapa prapa në lirinë e zgjedhjeve. Blerja e votës dhe presionet ndaj zgjedhësve janë fenomene shumë të rënda, dhe duhet vullnet për t’i luftuar ato”, tha Bylykbashi.
Komisioni i ngritur me vendim të parlamentit në seancën e 21 dhjetorit, ka detyrë hartimin e amendamenteve për ligjin zgjedhor, si dhe trajtimin e rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODHIR-it për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 dhe ato vendore të vitit 2015.
Komisioni do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, një nga Partia Socialiste, Bashkim Fino dhe tjetri nga Partia Demokratike, Oerd Bylykbashi, ndërsa anëtarësia e tij ka përbërje të barabartë mes shumicës dhe pakicës, me nga pesë anëtarë.
Komisioni do e ushtrojë veprimtarinë për një afat tremujor nga data e mbledhjes së parë të tij.