Nis kontrolli i llogarive bankare të Becchetti -t në Europë

Në llogaritë bankare të sekuestruara të Francesco Becchetti dhe bashkëpuntorëve të tij në skemën, që ai dyshohet se kishte ngritur për pastrimi e parave, janë gjetur vlera monetare mjaft të vogla.
Sipas Prokurorisë, e cila po heton prej 6 muajsh pronarin e “Agon Channel”, shumat e parave në disa raste lëviznin brenda ditës dhe kjo është arsyeja përse në llogaritë që ai kishte në Shqipëri, mbante shuma të vogla.
Edhe për levizjen e parave, Prokuroria ka zbuluar se Becchetti kishte ndërtuar një skemë. Milionat e eurove vinin në Shqipëri në formën e huave për kompanitë e Becchetti në vendin tonë dhe po brenda ditës dilnin jashtë vendit, duke u derdhur në llogaritë e biznesmenit italian.
Reth 100 milionë euro dyshohet se është vlera që Francesco Becchetti dhe bashkëpunëtorët e tij kanë pastruar në vendin tonë. Këtu përfshihet edhe shuma prej 10 milionë eurosh që ai arriti t’i marrë bankës gjermane, “Deutsche Bank”, nga gjyqi në Arbitrazh me kompaninë e nënës së tij. Me “Deutsche Bank” ai ishte në projektin për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit.
Për të kuptuar më mirë mënyrën sesi funksiononte ky mashtrim gjigand prej miliona eurosh dhe skema e pastrimit të tyre, Prokuroria ka dërguar 4 letër – porosi në 4 vende të Europës, nga ku dyshohet se kanë hyrë paratë e pista.
Burime nga kjo Prokurori kanë bërë të ditur se një informacion i është kërkuar ish -partnerit të Becchetti -t, “Deutsche Bank”, me seli në Londër. Letër – porosi janë dërguar në Luksemburg e Itali.
Nga këto dy vende është dërguar pjesa më e madhe e parave, pasi aktiviteti më i madh i Francesco Becchetti – t zhvillohej në këto dy vende.
Një letër porosi tjetër është dërguar drejt Austrisë nga ku drejt bankave shqiptare kanë mbërritur disa miliona euro. Letër porositë kërkojnë informacion për kompanitë që i kanë kryer këto trasaksione dhe personat që i kanë në pronësi apo i administrojnë.
Francesco Becchetti ka folur pas akuzave të ngritura nga Prokuroria Shqiptare dhe shpalljes së tij në kërkim.
Një një intervistë telefonike nga Londra për Agjencinë Italiane të Lajmeve, “Adkronos”, 49 –vjeçari i cilësoi akuzat si një hakmarrje të qeverisë ndaj linjës editoriale të televizionit “Agon Channel”, ndonëse sqaroi se Agon nuk bën politikë, por jep vetëm informacion.
Becchetti tha se ishte i gatshëm të tregonte në çdo moment burimin e parave të transferuara në shoqëritë e tij, por kur u pyet se kur do të kthehej në Shqipëri, u përgjigj duke thënë se, do ta bënte kur të konsiderohej i mirëseardhur.
Becchetti njoftoi se do ta çojë Shqipërinë në arbitrazh, për shkelje të traktatit bilateral të investimeve mes Shqipërisë dhe Italisë

Advertisement