“Nina”: Një 40-vjeçare në kërkim të partnerit. Super seriali që nis së shpejti

Nina. Beqare. Në kërkim të partnerit… dhe për t’ia gjetur janë angazhuar të gjithë miqtë, që kanë edhe problemet e veta. Kështu mund ta përmbledhim shkurtimisht serialin “Nina”.“Nina” do të transmetohet së shpejti në Radio Televizionin Shqiptar. Përmes njoftimeve në rrjete sociale, bëhet e ditur se seriali u xhirua gjatë pandemisë. Miqtë e Ninës, personazh që do të luhet nga aktorja Olta Daku, janë: aktorja e mirënjohur Raimonda Bulku, Besmir Bitraku, Erjona Kakeli, Ismail Shino, Igli Zarka, Renada Caci dhe Roza Lati si edhe aktorë të tjerë episodikë.

“Nina, një vajzë e zgjuar, aq sa edhe e ngathët, me asnjë filtër në trurin e saj për çdo gjë që mendon dhe thotë, me një sinqeritet gati naiv, do të bëhet lehtësisht e dashur për publikun. Ndodhur në vorbullën ku familja dhe shoqëria e saj tentojnë vazhdimisht të gjejnë një partner për të, Nina kjo 40-vjeçare e këndshme, përpiqet nga ana tjetër të përshtatet, duke futur humor në çdo rrethanë që i ndodh,” shpjegoi për Panorama Plus skenaristja e serialit, Raelva Shabanaj.

Advertisement

Përsa u përket personazheve të tjerë, ajo u shpreh:

“Në fakt, edhe miqtë e saj nuk mbeten pas, pasi secili ka karakteristikat e veta dhe të gjithë bashkë, dikush në kërkim të një pune, dikush në kërkim të dashurisë, dikush tjetër mjaft i realizuar, ndërthurin këtë mozaik social, me humor të hollë në dramat e së përditshmes së secilit. Mirë apo keq, të gjithë personazhet janë të përkushtuar ndaj njëri-tjetrit dhe janë gati të bëjnë çdo gjë të mundshme për të kaluar dhe situatat më të sikletshme.”