Nikolla prezanton kurrikulën e re për klasat e 10-ta

Ministria e Arsimit dhe Sportit prezantoi sot, reformën e re kurrikulare në arsimin e mesëm të lartë, e cila do të implementohet në shtator të këtij viti, duke filluar me zbatimin e saj në klasat e 10-ta.

Ministrja Lindita Nikolla, gjatë fjalës së saj, tha se reforma e re kurrikulare adreson në formë të plotë dhe të qartë gjithë problematikat e shprehura nga mësuesit, nxënësit dhe prindërit, që lidhen me mbingarkesën në gjimnaz, numrin e madh të lëndëve me zgjedhje, etj.

Advertisement

“Kryefjala e të gjithë asaj që mësuesit, nxënësit dhe prindërit kanë përcjellë në sondazhin e realizuar nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit (IZHA) në 13 Drejtoritë Arsimore Rajonale ka qenë se gjimnazi është i mbingarkuar. Gjithashtu ka një disporpocion jo efikas në kurrikulat me zgjedhje, nxënësi nuk i zgjedh vetë lëndët me zgjedhje kur hyn në vit të parë por i zgjedh mësuesi, vështirësia që ka një nxënës për të lëvizur nga një shkollë në një tjetër, etj”, tha ministrja Nikolla.

Në studimin e bërë nga IZHA mbi kurrikulën aktuale të gjimnazit, në të cilin u përfshinë 533 mësues, 569 nxënës dhe 569 prindër të përzgjedhur nga gjimnazet e 13-të DAR-ve në të gjithë vendin, rezultoi se rreth 58% e mësuesve dhe 70% e nxënësve e vlerësojnë shumë të ngarkuar planin mësimor të gjimnazit.

Kurrikula aktuale e gjimnazit ka një numër shumë të madh lëndësh (18 lëndë), krahasuar me kurrikulat e vendeve të tjera evropiane (10-12 lëndë), gjë që sjell mbingarkesë te nxënësit.

Sa u përket lëndëve me zgjedhje, Nikolla shtoi ” se pesha që zë kurrikula me zgjedhje në planin mësimor aktual të gjimnazit është e ulët referuar standardit evropian. Kjo peshë, që në planin aktual shkon rreth 17%, ndërkohë që mesatarja në nivel evropian është rreth 30%, kufizon përmbushjen e interesave individuale të nxënësve për kurrikulën shkollore dhe karrierën e tyre”.

Po ashtu, ajo i kushtoi rëndësi  edhe kualifikimi i mësuesve, ndajnë lidhje me këtë gje, ajo tha se do të ketë një program të detajuar, ndihme për të trajnuar të gjithë mësuesit e klasave të dhjeta, për të implementuar më pas tekstet e reja, planet e reja mësimore, kurrikulën e re.

Nga ana e tij, Drejtori i Institutit të Zhvillimit të Arsimit, Gerti Janaqi tha se “në klasën e 10-të dhe të 11-të nxënësit do të kenë një numër lëndësh të caktuara, ndërsa në klasën e 12-të do të kenë pesë lëndë të detyrueshme dhe lëndët e tjera do t’i zgjedhin sipas kritereve që universiteti përcakton për të vazhduar studimet. Nga 18-të lëndë të detyrueshme, me kurrikulën e re janë 12-të lëndë të detyrueshme në klasën e 10-të dhe 11-të dhe vetëm 5 lëndë të detyrueshme në klasën e 12-të si, gjuha, letërsia, matematika, gjuha e huaj, sporti”, tha Janaqi.

Disa nga risitë e kurrikulës së re janë:-ndarja e  gjuhës shqipe nga letërsia, hiqet sistemi i koeficientëve për lëndët me zgjedhje, rikthehet tradita e filozofisë në kurrikulën bazë etj.