“Nga sot do shihemi dhe në podcast”, Berisha fton Ramën për debat në podcastin e tij ose të Kryeministrit!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një postim në rrjetet sociale ka bërë të ditur se ka të regjistruar podcastin e tij që Dhjetorin e vitit të kaluar, të cilin e ka ndarë ditën e sotme.

Berisha shkruan se ngjarjet e kanë shtyrë takimin me publikun në këtë format, por duke filluar nga sot, ai ka bërë të ditur se me ndjekësit do të shihet dhe nëpërmjet podcastit.

Advertisement

Në postimin e tij, kryedemokrati Berisha i ka ribërë edhe njëherë ftesë kundërshtarit të tij politik, Edi Ramës për debat në podcastin e tij apo të Kryeministrit.

Kjo vjen pasi Kryeministri Rama, ditën e sotme ka bërë të ditur se shumë shpejt do të vijë me podcastin e tij ku të ftuar do të jenë personazhe të fushave të ndryshme e pse jo edhe kundërshtarët e tij politikë.

“Të dashur miq të komunitetit të madh të rrjeteve sociale Facebook, Instagram dhe Tik Tok. Që prej Dhjetorit, kam në ‘sirtarin’ tim dixhital të komunikimit me ju, edhe podcast-in tim të përjavshëm. Ngjarjet e kanë shtyrë këtë takim të ri me ju në një format tjetër, por duke filluar nga sot do të shihemi edhe në këtë dritare të re.

Mora vesh se edhe Edi Rama do ketë podcast. Si gjithmonë disa hapa pas meje, por ju e dini se unë kam një pasion të veçantë për teknologjinë dhe risitë e saj.

Kam menduar që komunikimi me ju në podcast të përqendrohet kryesisht në çështje jo politike, në Sali Berishën qe ju nuk e keni njohur dhe këtë e provon edhe ky episod i parë, i regjistruar në Dhjetorin e kaluar.

Meqë Rama paska thënë se është gati që të debatojë edhe me kundërshtarin politik, një ftesë që unë ja kam bërë prej kohësh në studiot televizive, ia përsëris tani publikisht, që ta bëjmë debatin të cilit ai i shmanget. Ku të dojë ai, në podcast-in tim apo të tijin.

Mendoj se politikanët duhet të ballafaqojnë pikëpamjet e tyre. Uroj të gjejë kurajo dhe të pranojë ftesën time”, shkruan Berisha në Facebook.