Nga ‘McGonigal’ te kërkesa për dorëheqjen e Ramës, opozita proteston sot para Kryeministrisë. Masat dhe skenarët!

Mbahet sot protesta e opozitës. Partia Demokratike, e mbështetur nga aleati i saj Partia e Lirisë ka thirrur shqiptarët sot në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në orën 12:00 për të protestuar kundër qeverisë ‘Rama’.

Ishte kryetari i PD-së, Sali Berisha ai që e njoftoi mbajtjen e kësaj proteste, ndërsa data u vendos pas konsultimit të tij me grupin parlamentar, ndërkohë që u përkrah dhe nga aleatët e tij.

Advertisement

Berisha tha se kjo do të jetë një protestë kundër Ramës, duke e cilësuar një revolucion demokratik që do të çojë sipas tij drejt dorëheqjes së kryeministrit.

Aksioni opozitar për këtë protestë erdhi pas zhvillimeve të fundit politike në vend dhe botë, sa i takon çështjes McGonigal dhe lidhjeve të tij me kryeministrin Rama. Javët e fundit debatet në Kuvend kanë qenë të ashpra, gjë që ka sjell dhe përjashtimin e 11 deputetëve të PD nga seancat plenare. Nga ato çka u transmetuan dje, mësohet se në protestë do të ketë fjalime nga figura politike të opozitës, ashtu si për çdo herë, por edhe mesazhe nga pjesëmarrësit dhe simpatizantët e tyre. Një tjetër të veçantë që prite të ketë kjo protestë është fakti se grupi i Alibeajt do t’i bashkohen kolegëve të tyre. Ky fakt u konfirmua nga deputeti Gazment Bardhi gjatë një bisede televizive. Dje në një konferencë për mediat Berisha iu bëri thirrje policisë dhe SHISH që të kenë kujdes qytetarët, pasi nëse dikush prej tyre do të lëndohet, do të quhet i persekutuar politik, ndërsa shtoi se persekutorët do përgjigjen edhe pas 30 vitesh.

“Paralajmëroj policinë që të mbajë qëndrimin korret. Çdo protestues i lënduar do konsiderohet i persekutuar politik. Persekutori do përgjigjet dhe pas 30 vitesh.”, tha ai.

Sakaq protesta e opozitës, mesloganin “Shqipërisë i dalim Zot” ka vënë në lëvizje policinë, e cila më herët njoftoi se mbi 1100 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH dhe Garda e Republikës, do të jenë në terren për mbarëvajtjen e protestës.