Nga lulet, te bizhuteritë dhe udhëtimet jashtë: Sa kushton dashuria në Shqipëri?

Nuk mund t’i vendosësh një çmim dashurisë, por sigurisht që është bukur të festosh me personin që do më shumë, përmes një shenje dashurie, në 14 shkurt.

Ajo shenjë mund të jetë një lule, një dhuratë, një udhëtim, emëruesi i përbashkët i të cilave është padyshim fakti që kushtojnë.

Advertisement

Për ditën e Shën Valentinit 2022, megjithatë, duket se shqiptarët do t’i kushtojnë më pak para dhuratave të shtrenjta, duke u fokusuar në shkëmbimin e përvojave romantike dhe shkëmbimin e dhuratave si udhëtime apo një darkë jashtë.

Sipas hulumtimeve të ndryshme në biznese në kryeqytet, të cilët janë veshur me te kuqe që në nisje të javës së shkuar, përqendrimi i kërkesave këtë vit duket se është te lulet dhe restoranti. Dyqane të ndryshme veshjesh në rrugën tregtare “Myslym Shyri” pohojnë se blerjet kanë qenë të ulëta. Gjithashtu, në komunikim me disa dyqane në dy qendra tregtare ne vend, pohohet e njëjta tendencë.

Kjo rënie në kërkesa për blerje, megjithatë, sipas bizneseve, nuk e bën Shën Valentinin jo të festueshëm, por sugjeron se tashmë po rishikojnë mënyrën se si festojnë ditën e dashurisë, mes faktorëve si rritja e kostove të ushqimit, rritja e energjisë elektrike dhe ndikimet e vazhdueshme të pandemisë globale.

Ndërsa një tjetër sektor që ka pasur vëmendje në këtë ditë, ai i parfumeve, rezulton me shitje më të larta se sa veshjet. Nga parfumeria në qendrën COIN pohojnë se javën e shkuar kanë pasur një rritje kërkesash për parfume femrash kryesisht, por pa lënë pas edhe dhuratat për meshkujt, rritje të cilën e veccojnë si më të lartë se sa vitin e shkuar.

Ndërsa të kontaktuar nga Monitor, përfaqësuesit e shitjeve të argjendarisë “AltinBas” në bllok tregojnë se se ishin bërë shumë promocione dhe zbritje çmimi me rastin e festës së dashurisë, zbritje të cilat në shumë artikuj e kalonin vlerën e -50 % dhe këtë vit blerjet kanë qenë disi më mirë se vitet e mëparshme, megjithatë, sipas tyre, dhuratat e shtrenjta kanë nisur të jenë më pak atraktive.

“Një 14 shkurt më i mirë se dy vitet e fundit”- thotë përfaqësuesja e dyqanit të luleve dhe bimëve “Bloom” pranë Vasil Shanto. Ajo pohon se përgatitjet nisën që pas datës 10 shkurt, duke ofruar edhe aksesorë të tjerë krahas luleve si arusha, tollumbaca, kartolina etj.dhe kërkesat e blerjet, sipas saj kanë qenë më të larta se sa dy vitet e fundit në pandemi.

“ Më shumë shitje se vitet e mëparshme kemi pasur. Njerëzit kishin mundësi të gjenin diçka duke nisur nga 1000 lekë, sipas mundësive që të mos privoheshin për arsye financiare. Ose edhe thjesht një degë luleje”- tregon ajo.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se importet e luleve janë rritur vit pas viti, duke kulmuar në shkurt, mars (për festën e 8 marsit) dhe në verë, kur është periudhë dasmash. Rekordin, lulet e importuara e shënuan në 2021-n, duke u rritur me 30.2 % me bazë vjetore. Vitin e shkuar ato arritën në 1’19 mld lekë, duke përmirësuar situatën e krijuar nga nisja e pandemisë në 2020. (shih grafikun)

Oferta të shumta nisën të “bombardojnë” rrjetet sociale por edhe reklamat në televizione të ndryshme, për formën se si një çift duhet ta kalojë Ditën e Shën Valentinit. Përveç një vakti në një restorant, paketat këtë vit ofronin edhe muzikë live të personalizuar në tavolinë apo edhe fjetjen në rastin e një hoteli ose resorti, duke bërë atraktive këtë formë kalimi të festës, që në 2020 mungoi.

Edhe për Shën Valentin, udhëtimet kanë qenë të kërkuara. Ka pasur oferta nga agjenci të ndryshme në vend dhe kërkesat kanë qenë të fokusuara kryesisht në destinacione të afërta, perfektë për një shkëputje fundjave. Rajoni është preferuar shumë, duke marrë në konsideratë prenotimet paraprake nga të dhënat e tre agjencive në kryeqytet. Gjithashtu, kërkesat për Parisin, Barcelonën, Stambollin kanë qenë të larta.