Nënë Tereza shpallet shenjtore më 4 shtator. Njoftimin e bëri Papa Françesku, që sqaroi se procedura do të zhvillohet në Bazilikën e Shën Pjetrit gjatë Jubileut të Mëshirës dhe jo në Kalkuta, siç shpresonte Kisha Katolike në Indi.
Dhjetorin e një viti më parë, Vatikani i njohu shqiptares së madhe mrekullinë e dytë, shërimin e një 35-vjeçari brazilian me tumor në kokë, të cilit mjekët i kishin hequr çdo shpresë për jetën. Falë lutjeve ndaj Nënë Terezës, i riu u shërua pa iu nënshtruar asnjë ndërhyrjeje kirurgjikale.
Mrekullia e saj e parë, ajo që i solli dhe Lumturimin në vitin 2003, ishte një tjetër sherim, ai i indianes Monika Besra që vuante nga kanceri i stomakut.
Humanistja e jashtëzakonshme ndërroi jetë shtatorin e vitit 1997 në moshën 87 – vjeçare. Në kohën e vdekjes së saj, Misionarët e Bamirësisë së Nënë Terezës numeronin mbi 4,000 motra dhe një vëllazëri prej 300 anëtarësh që punonin në 610 misione në 123 vende të botës.
Aktiviteti i tyre përfshinte dhe qendra për të sëmurët me HIV/AIDS, për lebrozët, të sëmurët nga tuberkulozi, programe këshillimi për fëmijë dhe familje, ndihmës personal, jetimore dhe shkolla.