Ferma Vip, programi i suksesshëm reality, që arriti rekorde audience një vit më parë ka ndezur motorët për sezonin e dytë. Dhe show pritet të nisë në fund të marsit duke mbajtur mbërthyer për 90 ditë shqiptarët kudo ndodhen kureshtarë të aventurave të fermerëve, Kryeplakut dhe Agait. Por fushata e jashtëzakonshme promovuese sezonit të parë nuk po përsëritet këtë vit duke i lënë fansat të zhgënjyer prej njoftimeve e postimeve të pakta në faqen zyrtare në instagram.
Deri më tani ka qarkulluar lajmi për ndryshimin në prezantim, largohet Fjoralba Ponari dhe mega produksioni i besohet Luana Vjollcës. Por po të kontrollosh në llogarinë e instagramit të Ferma Vip 2 bie në sy se nga tre “follow”-t që bënte kjo faqe është hequr emri i producentes së suksesshme Holta Dulaku. Interesimit të disa prej gazetarëve të showbizit mbi këtë fakt nuk i është përgjigjur zyrtarisht produksioni, por burime nga brenda stafit konfirmojnë se Holta Dulaku, e njohur për prodhimin e spektakleve gjigande e shumë të suksesshme ka hequr dorë nga drejtimi i ekipit të sivjetshëm të Ferma Vip për shkak të largimit jashtë vendit për të qendruar pranë djalit të saj, që nis studimet në një nga shkollat më të mira të perëndimit.
Pra Holta Dulaku, një ndër producentet më të njohura në vend, me përvojë të gjatëme disa nga prodhimet më të mira skenike e mediatike, garancia e suksesit të Ferma Vip 1, magneti që “thithi” emra surprizë, të njohur e të dashur për publikun, me karrierë të gjatë apo yje në ngjitje si “fermerët” më të famshëm në vend, truri i spektaklit madhështor (me gjithë defektet teknike, që Vizion Plus me vështirësi i mbuloi), nuk do të jetë në timonin e show-t gjigand.
Nuk dihet se kush do të marrë frenat në dorë, nëse do jete vetë Vizion Plus, apo Luana Vjollca me ekipin e saj, por mungesa e Holtës shpjegon edhe arsyen e fushatës së dobët promovuese.
Gjithashtu në rolin e Kryeplakut nuk do të jetë Bes Kallaku dhe spekullimet janë të shumta.
Nuk dihet nëse do të jenë të njëjtët opinionistë të sezonit të parë, dy gazetarët e suksesshëm Sonila Meço, Enkel Demi dhe blogerja e njohur Armina Mevlani, që rezultuan kombinimi fantastik në mbajtjen gjallë e plot dinamika të Fermës.
Por largimi i Holta Dulakut, për t’u zhvendosur jashtë Shqipërisë për të ndjekur shkollimin e të birit është minusi i parë i një aventure të re.
A do munden të “mbushin” këpucët e saj në Vizion Plus?
Na mbetet të presim e urojmë më të mirën për reality-n, që argëtoi e përfshiu shqiptarët që e deshën stilin e ndryshëm nga të tjerë reality agresivë, duke mos rënë në kurthin e keq të tyre dhe duke provuar se audiencë bëhet edhe pa banalitete e agresivitet.