Në pranga deputetët Doshi e Frroku (VIDEO)

Policia e Tiranës ka ekzekutuar dy urdhër ndalimet e lëshuara nga Prokuroria e Përgjithshme për deputetët Mark Frroku e Tom Doshi.Në momentin e ndalimit deputeti Frroku ndodhej në ambientet e biznesit të tij, teksa në shoqërinë e avokatit mbrojtës Saimir Visha e Genci Gjokutaj ka pritur që pas heqjes së imunitetit mbërritjen e policisë.
Pak orë pas ekzekutimit të urdhër ndalimit ndaj Mark Frrokut, policia ka trokitur në banesën e Tom Doshit në rrugën Qemal Stafa në kryeqytet ku pasi kanë qëndruar për afro 45 min kanë dalë duke marrë dhe deputetin Doshi.
Urdhër ndalimet janë firmosur sapo në prokurori ka mbërritur vendimi i parlamentit që i hoqi imunitetin deputetëve, duke i hapur kështu rrugë prangosjes së tyre.
Proceduralisht Frroku dhe Doshi për 48 orë do qëndrojnë në ambientet e Policisë së Tiranës nga ku pritet që prokuroria ti drejtohet gjykatës së lartë për vleftësimin e urdhër ndalimit.
Avokati i Tom Doshit ka thënë jashtë ambienteve të Drejtorisë së Policisë se ndalimi i Doshit nuk ka qenë korrekt pasi arrestimi i klientit të tij është bërë pa një urdhër nga gjykata ashtu sikurse e parashikon edhe ligji. Për këtë arsye ka thënë avokati Meçi do të reagojmë nesër për të kundërshtuar urdhrin e prokurorit të përgjithshëm për ndalimin e deputetit Doshi. “Jemi në kushtet kur prokuroria nuk duhej të ndërhynte sepse shkel një nga të drejtat themelore,” – tha Meçi.

Advertisement