Rreth 850 mjekë, farmacistë, stomatologë deri më tani rezulton se kanë zero kredite. Ndërkohë, 1200 të tjerë janë në minimumin prej 30 kreditesh. Drejtoresha e Qendrës Kombëtare për Edukimin në Vazhdim, Entela Shehu, thekson se raportet përfundimtare në lidhje me numrin e mjekëve, farmacistëve dhe stomatologeve do të dalin në mars, ku do të hiqet licenca për të gjithë ata që kanë zero kredite. Përpos kësaj, vendi i punës që kishin do të shpallet vakant.
“Procesi i regjistrimit të krediteve të akumuluara deri më 31 dhjetor 2014 parashikohet të vazhdojë deri në fund të shkurtit 2015. Raportet përfundimtare dalin në mars 2015″,- shpjegon drejtoresha e QKEV-së. Më tej, ajo shton se nëse nuk kanë arritur të marrin asnjë kredit dhe u është pezulluar licenca, kanë të drejtë që t’i nënshtrohen provimit të shtetit në rast se duan të rilicencohen. “Atyre profesionistëve, që në përfundim të ciklit të parë kanë 0 kredite, vendi i punës u bëhet vakant dhe iu pezullohet licenca. Që prej ditës kur njoftohen nga QKEV, drejtuesit e institucioneve shëndetësore kanë përgjegjësinë për shpalljen e vendit vakant, çdo tre muaj brenda vitit, deri në paraqitjen e një kandidature të përshtatshme. Njëkohësisht, urdhri profesional përkatës pezullon licencën. Këta profesionistë rifitojnë të drejtën për t’u punësuar dhe për t’u licencuar vetëm pas dhënies së provimit të shtetit”, deklaron drejtoresha Entela Shehu. Përpos kësaj, mjekët, farmacistët dhe stomatologët që nuk kanë zero kredite, mund të vazhdojnë të ushtrojnë profesionin e tyre, por duhet që duhet të japin provimin e shtetit brenda 6 muajve, që prej ditës kur njoftohen nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim. Nëse këta të fundit nuk i nënshtrohen provimit, atëherë u hiqet licenca dhe vendi i punës shpallet i lirë. “Profesionistët që nuk kanë zero kredite, por më pak se niveli i kërkuar, duhet t’i nënshtrohen provimit të shtetit. Në rast se kjo nuk ndodh, edhe këtyre profesionistëve vendi i punës iu bëhet vakant dhe iu pezullohet licenca. Drejtuesi i institucionit shëndetësor ka përgjegjësinë për shpalljen e vendit vakant, çdo tre muaj brenda vitit pasardhës, deri në paraqitjen e një kandidature të përshtatshme. Njëkohësisht, urdhri profesional përkatës pezullon licencën. Këta profesionistë rifitojnë të drejtën për t’u punësuar dhe për t’u licencuar vetëm pas dhënies së provimit të shtetit”, nënvizoi Shehu. E njëjta procedurë do të ndiqet për të gjithë mjekët, farmacistët, stomatologët, si në spitalet publike dhe ato private. Mjekët në 5 vite duhet të grumbullojnë 150 kredite, ndërsa farmacistët dhe stomatologët 100.
Mungesa e mjekëve specialistë është ngritur shpeshherë si shqetësim nga punonjës të shëndetësisë. Kryesisht ky problem është më i dukshëm në spitalet e rretheve, çka i detyron banorët e këtyre zonave të drejtohen drejt kryeqytetit. Për shkak të kësaj situate, këtë vit janë hapur edhe specializimet në mjekësi. Kreu i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, tha se brenda kësaj jave do të nisin edhe konkurset pranë Universitetit të Mjekësisë. Katër muaj më parë, Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, deklaroi se situata është alarmante dhe ndaj atyre që nuk arrijnë të plotësojnë kriteret e kërkuara do të merren masa të rrepta, deri në heqje të licencës. “Jemi përpara një realiteti që, në vite janë akumuluar boshllëqe në trupën mjekësore të vendit, boshllëqe qoftë në sasi, pra kemi specialitete ku na mungojnë në mënyrë absolute mjekët, po kështu, edhe në cilësi dhe në vijimësi lidhur me mbajtjen gjallë, përditësimin, avancimin e dijeve dhe të njohurive. Ju e dini që sistemi i edukimit në vazhdim është tashmë një institucion për shëndetësinë shqiptare. Është filluar në mënyrë të plotë që nga viti 2010, por sot që po flasim, që jemi pothuaj në mbyllje të ciklit të parë 5-vjeçar, me keqardhje konstatojmë se kemi ende profesionistë pa asnjë kredit, pra kemi ende profesionistë me 0 (zero) kredite apo më shumë, të pamjaftueshme sipas atyre standardeve që janë përcaktuar”,- ka theksuar më parë kreu i Shëndetësisë.
Burimi: Gazeta Shqip | Ilda Hoxha