Drejtori i Agjencisë së Legalizimit, Artan Lame, deklaroi të premten se 50 mijë qytetarë do të mund të legalizojnë banesat e tyre pas miratimit të ndryshimeve në ligj nga Kuvendi në seancën plenare të së enjtes.
Në një konferencë për shtyp nga zyrat e ALUIZNI-t, Lame bëri të ditur se këta qytetarë mbeteshin peng i ndryshimeve ligjore të bëra në janar të vitit 2009, që i cilësonin vepër penale ndërtimet pas kësaj periudhe.
Por, theksoi ai, qeveria vendosi përfshirjen e këtyre qytetarëve në procesin e legalizimit dhe tashmë 50 mijë qytetarët do të mund të paraqiten në zyrat e ALUIZNI-t për të bërë vetedklarimin. “Ata më pas mund të presin qetësisht ekipet e ALUZINI-t në shtëpitë e tyre për të përfunduar procesin”, tha Lame.
Duke komentuar vendimin e vitit 209 të qeverisë së shkuar, Lame tha se ajo synonte t’i jepte fund ndërtimeve pa leje dhe të vendoste nën kontroll territorin, por në fakt nuk ia arriti. Lame po ashtu u shpreh se procesi i legalizimit edhe për këta qytetarë do të jetë falas.