Raffaella Carrà, prezantuesja dhe aktorja e njohur italiane është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare. Lajmin e vdekjes së saj e bëri me dije koreografi i njohur Sergio Iapino.
“Raffaella na la. Ajo shkoi në një botë më të mirë, ku e qeshura e saj e pagabueshme dhe talenti i saj i jashtëzakonshëm do të shkëlqejnë përgjithmonë.”- shkroi ai.
Raffaella, përveçse e famshme ishte personazh shumë i dashur për publikun. Ajo spikaste për vendosmërinë e saj në projektet që merrte përsipër, punë e cila e çoi drejt suksesit ndërkombëtar.Prej kohësh, ikona e ekranit italian vuante nga një sëmundje e rëndë, që u bë shkak për ndarjen e saj nga jeta.
Carra, shumë e njohur për shqiptarët ishte këngëtare, kërcimtare, aktore dhe moderatore për një periudhë të gjatë kohë, duke filluar që nga vitet 1960 deri në fillim vitet 2000.
Ajo u shndërrua shpejt në ikonë argëtimi për njerëzit pasi tregoi se ishte e zonja të spikaste në skena që asokohe dominoheshin prej burrave të tillë si Corrado, Mike Bongiorno apo Pippo Baudo.
Disa prej këngët më të famshme të saj ishin “Rumore”, “Com’e’ bello far l’amore da Trieste in giu'” dhe “Salutala per me”, e ndërsa programet më të njohura ishin “Carramba che Sorpresa, Carramba che fortuna”, “Fantastico 3”, “Canzonissima”, etj. Për shumë vite ajo punoi në televizionin shtetëror italian, Tv Rai, e ndërsa në 1987-ën, firmosi kontratën me Mediaset. Gjatë viteve 90-të, Raffaella prezantoi edhe programe të ndryshme për televizionin spanjoll, e ndërsa në 2001-shin, ishte moderatorja e Sanremo Song Festival.
Ndër të tjera, emri i saj njihej gjithashtu si gruaja e parë që doli me barkun jashtë para kamerave. Moderatorja e famshme asokohe u përblall me kritika të ashpra nga Vatikani dhe kishat katolike që kishin parë shfaqjen e saj Canzonissima.
Ndonëse nuk la pas fëmijë ajo gjithmonë thoshte se “kishte me mijëra të tillë” falë programeve dhe njerëzve që takonte gjatë tyre.