Ndërron jetë Bobbi Kristina Brown

Bobbi Kristina Brown, vajza e këngëtares Whitney Houston, ka ndërruar jetë në moshën 22-vjeçare.

Lajmin e ka bërë të ditur përfaqësuesja e familjes, Kristen Foster, e cila ka deklaruar se Brown u nda nga jeta ditën e diel, e rrethuar nga familja dhe “më në fund prehet e qetë në krahët e Zotit”.

Advertisement

Brown u gjet pa ndjenja në vaskën e banesës së saj më 31 janar dhe që prej atëherë ndodhej në gjendje kome. Ajo nuk arriti kurrë të zgjohej.

Ajo u transportua në një spital më të specializuar në Xhorxhia një muaj më parë, pasi gjendja e saj u përkeqësua. 22-vjeçarja ishte vajza e vetme e Houston dhe këngëtarit Bobby Brown.

Vetë Houston u gjet pa jetë në dhomën e saj të një hoteli në Los Anxheles në vitin 2012, në rrethana të ngjashme me të bijën.

“Bobby Kristina Brown ndërroi jetë më 26 korrik 2015, e rrethuar nga familja e saj. Më në fund ajo prehet në paqe në krahët e Zotit. Falenderojmë të gjithë për dashurinë dhe mbështetjen e treguar në këta muaj”, deklaroi zëdhënësja Foster.

Media të ndryshme flasin se Brown ëndërronte të ndiqte trashëgimin e së ëmës si këngëtare e aktore dhe kishte interpretuar në disa role të vogla televizive, por karriera e saj nuk kishte nisur ende ngjitjen.