Aktorja e njohur Edi Luarasi ndërroi jetë këtë të premte në moshën 81-vjeçare.
Lajmin e ka bërë të ditur djali i aktores, Eldon Luarasi.
Edi Luarasi debutoi që në moshë të re në skenë. Arti ynë kombëtar humbet kështu një figurë të spikatur.
Edi Luarasi lindi në Tiranë më 7 maj 1940 dhe ka debutuar në skenë në moshë të re. Fillimisht në 1956, kur ishte 16 vjeçe, së bashku me të motrën këndonin në skenën e Teatrit të Estradës.
U diplomua për aktore në 1963 dhe emërohet aktore në Teatrin Popullor. Roli i parë i saj ishte Vera në dramën “Shtëpia në bulevard” më 1963 me regjisor Kujtim Spahivoglin.
Më pas, në dhjetë vjet, vijnë një sërë rolesh të arrirë, ku veçojmë Lenën tek “Doktor Aleksi”, Kordelja tek “Mbreti Lir”, Cuca tek “Cuca e maleve”, Kristina tek “Fytyra e dytë”, etj.
Ajo u përjashtua nga Teatri Kombëtar në 22 janar 1974 për arsye politike e më pas u rikthye në skenë në mars 1991, me interpretimin dinjitoz në rolit e damës plakë në dramën “Vizita e Damës plakë”.
Interpretoi edhe në 1995 në dramën “Hekurat”, më vonë, me sukses në dramat “Cilindri”, “Streha e të harruarve”, etj. Ajo është nderuar me titullin “Artiste e Merituar”, si dhe me Dekoratën e Lartë “Nderi i Kombit”.