Naomi Campbell zbuloi se varësia ndaj drogës gati sa nuk i mori jetën në kulmin e karrierës së saj në vitet ’90.
Ylli legjendar i pasarelave foli hapur për abuzimin e saj në të kaluarën me substanca në serialin e ri dokumentar të “AppleTV+”, “The Super Models”, duke pranuar se ajo u bë përdoruese e kokainës për të përballuar traumën e fëmijërisë dhe vdekjen e stilistit dhe mikut të ngushtë italian Gianni Versace.
“Mendoj se kur fillova të përdorja kokainën, një nga gjërat që u përpoqa të mbuloja ishte pikëllimi. Varësia është një budallallëk. Ti mendon se do shërosh plagët. Por, kjo nuk ndodh. Mund të shkaktojë një frikë dhe ankth të madh. Kështu që u zemërova shumë.”
Ikona e modës tha se bota e saj u trondit kur Versace u vra jashtë shtëpisë së tij në Miami Beach në vitin 1997.
“Gianni Versace ishte shumë i ndjeshëm. Ai më shtynte të ecja para dhe të shkoja më tej kur nuk mendoja se mundesha. Kështu që kur ai vdiq, u pikëllova shumë.”
Supermodelja britanike luftoi me varësinë e saj ndaj substancave narkotike për pesë vjet, madje u rrëzua gjatë një sesioni fotografik në 1999.
“Kur përpiqeni të mbuloni diçka, ndjenjat tuaja – për shembull braktisjen. U përpoqa ta mbuloja me diçka. Ju nuk mund ta mbuloni atë. Po vrisja veten. Ishte shumë e dhimbshme.”
Por, ai incident i tmerrshëm ishte thirrja e zgjimit që asaj i duhej për t’u shtruar në rehabilitim.
“Zgjodha të shkoj në rehabilitim. Ishte një nga gjërat më të mira dhe të vetme që mund të kisha bërë për veten time në atë kohë. Më janë dashur shumë vite për të punuar dhe ta përballuar. Dhe ende shfaqet ndonjëherë. Por unë tani kam mjetet se si ta trajtoj atë.”
Përveç përballimi i vdekjes së Versace, nëna e dy fëmijëve ka reflektuar më parë edhe për traumën e fëmijërisë që përjetoi pasi i ati braktisi nënën e saj.
Campbell foli për këtë në një intervistë të vitit 2000 me Barbara Walters – e cila u shfaq në “The Super Models”.
“Ka shumë probleme që kam që nga fëmijëria. Për shembull, nuk njoh babain, nuk kam parë nënën. Kjo sjell shumë – manifeston shumë ndjenja. Një nga ato ndjenja, absolutisht është zemërimi. Është një manifestim i një çështjeje më të thellë, mendoj unë, zemërimit. Dhe kjo për mua, mendoj se bazohet në pasigurinë, vetëvlerësimin dhe vetminë…”