Moska konfirmon: Piloti u shpëtua nga ushtria siriane, tjetri humbi jetën

Piloti rus, i zhdukur pas rrëzimit të avionit të tij nga forcat ajrore turke, është shpëtuar nga ushtria siriane, deklaroi ambasadori rus në Francë.

Alexander Orlov i tha radios “Europe 1” se piloti tashmë është dërguar në një bazë ruse, pohime që janë konfirmuar edhe nga Ministria ruse e Mbrojtjes në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, në Moskë.

Advertisement

Sa për pilotin e dytë, zyrtarët rusë përsëriten variantin e mëhershëm se është vrarë gjatë rënies në tokë me parashutë, ndërsa sqaruan se gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit, të ndërmarrë për të dy pilotët, ka gjetur vdekjen dhe një ushtar i marinës ruse.

Shefi i NATO-s, ndërkohë, edhe pse i qëndroi në krah Turqisë anëtare të aleancës atlantiko-veriore, bëri sërish thirrje për qetësi.

Mbështetja e Moskës për aleatin e saj Bashar al-Assad dhe thirrjet e Ankarasë për rrëzimin e tij kanë bërë që Rusia dhe Turqia ta gjejnë veten në kahet e kundërta të konfliktit sirian, e herët apo vonë, një përplasje mes tyre dukej e destinuar të ndodhte.