Mjeku që i propozoi Bleonës përfundon në psikiatri

Dalip Gjoka, mjeku pediatër nga Burreli, i cili u bë i njohur për mbarë opinionin publik falë iniciativës së tij të guximshme, për t’i propozuar këngëtares Bleona Qereti për martesë, ka përfunduar në psikiatri.

Prej mëngjesit të së premtes, mjeku Gjoka është dërguar nga Burreli në Tiranë dhe është shtruar në spitalin nr. 5 të Neurologjisë.

Advertisement

Mjekët e këtij spitali kanë rrefuzuar që të japin hollësi për mediat në lidhje me diagnozën e pacientit mjek, por ata kanë treguar se ai vijonte të fliste për planin e martesës.

Ditën e premte Gjoka do të ishte i ftuar në emisionin “Zonë e lirë” të gazetarit Arjan Çani, i cili e kishte anonçuar edhe më herët këtë lajm të bujshëm.

Por kur Çani direkt nga emisioni i ka rënë numrit të doktorit, ai ka rezultuar i fikur.

Sipas të afërmve të mjekut matjan, ai që prej mëngjesit të së premtes ka qenë i shtruar pikërisht në pavjonin e spitalit nr. 5 në Tiranë, për shkak të një përkeqësimi të situatës së tij mendore, shkruan e përditshmja “Shekulli”.

Të afermit e Dalipit kanë thënë më tej se ai kurrë nuk ka vuajtur nga shqetësime të tilla, por që prej dy ditësh qëndron i shtruar në spital ku është nën mbikëqyrjen e mjekëve, por dhe në shoqërinë e vëllezërve dhe motrave që e kanë shoqëruar atë nga Burreli.

Nuk dihet ende për sa kohë do të qëndrojë i shtruar mjeku në këtë pavion, por nga mjekët është mësuar se ai gjatë gjithë kohës ka folur me ta për planin e martesës “përrallore”, që sipas tij u prish.

Ai ka qenë i shqetësuar për këtë martesë pasi nga sa ka thënë vetë, një kompani private i ofroi atij një helikopter për të marrë nusen, në një kohë që ceremonia madhështore do të merrej përsipër nga bashkia e Burrelit.