Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i kryesuar nga shefja për Shqipërinë, Anita Tuladhar, i cili ndodhet që nga data 9 mars në Tiranë, vijon takimet me autoritetet më të larta të vendit.
Diskutimet me autoritetet e vendit janë fokusuar mbi ecurinë e marrëveshjes mes FMN-së dhe qeverisë shqiptare dhe mbi klimën ekonomike në vend.
Që nga e mërkura shefja e misionit të FMN-së për Shqipërinë, Tuladhar, si dhe përfaqësuesi rezident i FMN-së në Tiranë, Jens Reinke, kanë zhvilluar takime me ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, kreun e Kuvendit, Ilir Meta, ndërsa pasditen e së premtes misioni zhvilloi takime edhe në selinë e Kryeministrisë.
Misioni i FMN-së do të qëndrojë në vendin tonë 2 javë, kohë gjatë së cilës do të zhvillojë bisedime me autoritete të shumta, për të analizuar gjendjen e financave publike, zhvillimet makro-ekonomike dhe situatën fiskale.
Vizita e misionit të FMN-së vjen pas miratimit të kësteve të radhës të kredisë që bordi i Fondit miratoi për qeverinë shqiptare, duke i hapur rrugë disbursimit të 72.4 milionë eurove dhe duke i çuar pagesat totale në rreth 226,8 milionë euro.