Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 83 vota pro projektligjin për sektorin e energjisë elektrike, por pa nenin ku parashikohej sekuestrimi e banesës në rast debie ndaj OSHEE-së.
Para votimit, Partia Demokratike u shpreh edhe kundër nenit që parashikon sekuestron për bizneset që regjistrojnë një debi mbi 200 mijë lekë ndaj OSHEE-së.
Opozita paralajmëroi madje se do ta çojë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese.
Deputetja Jorida Tabaku tha se barrën hiptekore për bizneset do ta pësojnë bizneset e vogla, të cilat nuk kanë mundësi të paguajnë, ndërsa ‘peshqit’ e mëdhenj si gjithmonë do ja hedhin pa u lagur.
Propozimi fillestar parashikonte vendosjen e barrës hipotekore për konsumatorët familjarë kur kalojnë vlerën debitore prej 300 mijë lekësh, ndërsa për bizneset kur kalojnë vlerën e 2 milionë lekëve.
Një tjetër pikë debati ishte ajo e çmimit të lartë, që qytetarët duhet të paguajnë për faturat afrofe, për të cilën kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese tha se synohet që fundi i këtij viti të jetë edhe fundi i kësaj mënyre faturimi, pas pajisjes së të gjithë konsumatorëve me matësa.

Advertisement