Komisioni i Ekonomisë miratoi marrëveshjen e huasë për financimin e projektit të rimëkëmbjes së sektorit të energjisë elektrike me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim.
Zv/ministri i Energjisë dhe Industrisë, Ilir Bejtja deklaroi para deputetëve se kjo marrëveshje ka synim rimëkëmbjen e sektorit të energjisë elektrike. Objektivi kryesor i projektit, sipas z Bejtja, është rritja e sigurisë së furnizimit të konsumatorit me energji elektrike nëpërmjet diversifikimit të burimeve të gjeneruara dhe forcimit të integrimit rajonal. “Synohet gjithashtu, tha ai, përmirësimi me efikasitet i sistemit të shpërndarjes së energjisë nëpërmjet zvogëlimit të humbjeve në rrjet dhe përmirësimit të sistemit të mbledhjes të të ardhurave, përmirësimi i tregut të energjisë elektrike, si dhe prezantimi i reformave të energjisë në sektorin e energjisë për krijimin e një tregu konkurues, reforma të cilat do të ndihmojnë në thithjen e investimeve private dhe reduktimin e rreziqeve fiskale për qeverinë.” Marrëveshja e huasë për financimin e projektit të rimëkëmbjes së sektorit të energjisë elektrike, parashikon një kredi në shumën prej 112 100 000 eurosh, e cila do të sigurojë financimin e projektit të rimëkëmbjes së sektorit të energjisë elektrike.