Miratohet kërkesa për arrestimin e deputetëve. Doshi akuzon për manipulim provash

Këshilli për Imunitetin dhe Mandatet vendosi të miratojë kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku.Në një seancë maratonë në mbledhjen e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve, Deputeti Tom Doshi ka bërë publik një fakt që sipas tij e disponon Prokuroria që vërteton kërcënimin që i është bërë Durim Bamit për të ndryshuar dëshminë.
Nga ana e saj, Prokuroria për Krimet e Rënda, me kërkesë të anëtarëve të opozitës në Këshill, nuk pranoi të sqarojë specifikisht nëse ky regjistrim ekziston.
Në kërkesën e saj drejtuar Këshillit të Mandateve, Prokuroria kërkon autorizim për arrestimin e Deputetit Doshi, por duket se mbi të ende nuk rëndon një akuzë konkrete.
Në gjuhë juridike, regjistrimi i procedimit penal do të thotë se mbi personin ka dyshime se ka konsumuar një vepër penale dhe kërkohet të bëhen hetime, dhe kjo nuk do të thotë se ka prova që faktojnë se ka kryer veprën.
Ashtu si edhe avokatët e tij më parë, Deputeti Tom Doshi tha se pretendimet e Prokurorisë ndaj tij kanë prapavijë politike dhe se organi i akuzës ka manipuluar provat.
Këshilli vendosi të vazhdojë seancën me dyer të mbyllura ku vendosi me votat e maxhorancës të mos pranojë më prova të tjera për këtë çështje çka do të thotë se nuk do të kërkojë administrimin e videos së pretenduar nga Doshi.
Më pas unanimisht është vendosur që t’i hapet rrugë kërkesës së Prokurorisë. Përfundmisht vendimin e merr seanca që me shumë gjasë do të jetë ajo e ditës së enjte.

Advertisement