Ministri Klosi vlerëson progres-raportin: progres me reformat e ndërmarra

Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, në një deklaratë për mediat nga ambjentet e Kryeministrisë, vuri në dukje vleresimet e progres-raportit për Shqipërinë, në drejtim të punës së bërë nga Ministria e Mirëqënies Sociale për qytetarët.

Gjatë fjalës së tij, Klosi tha se “progres-raporti evidenton 25 % më shumë ndërmjetësime në punë dhe rritjen e numrit të të punësuarve, nëpërmjet programeve të nxitjes së punësimit”.

Advertisement

Po ashtu, Klosi foli edhe për reformën e pensioneve, që sipas progres-raportit, ka sjellë mirëkoordinim në sistemin e sigurimeve shoqërore.

“Sa i përket reformës së pensioneve, me kënaqësi konstatoj opinionin pozitiv të shprehur në raport ku theksohet se progresi i bërë në këtë skemë dhe situatës së emigrantëve shqiptarë që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit, ka sjellë një koordinim të dukshëm në sistemin e sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Gjatë 2015 janë ratifikuar marëveshje të mbrojtjes shoqërore, janë zhvilluar negociata dhe nënshkruar marrëveshje me Gjermaninë e Austrinë, janë në proces ratifikimi marrëveshje me Hungarinë, Rumaninë, Kanada etj. MMRS po punon për marrëveshje të reja me Kosovën, Bullgarine etj. Sigurimi i kushteve më të mira në punë, do të thotë cilësi më e lartë e jetës dhe jo vetëm përafrim të legjislacionit me atë të Bashkimit Europian”, tha Klosi.

Sipas ministrit, mirefunksionimi i Këshillit Kombëtar të Punës është një tjetër vleresim në progres-raportin për Shqipërinë.

“Këshilli Kombëtar i Punës funksion shumë më mirë, gjë qe ka ndikuar në përmiresime te dialogut social, në veçanti respektimin e të drejtave të punëmarrësve në vendin tonë. Po luftohet informaliteti në punë, theksohet ne progres- raport, vetëm gjatë dy muajve të fundit janë futur në skemën e sigurimeve shoqërore mbi 100 mijë persona, duke iu shtuar rritjes ekonomike”, nënvizoi ai.

Në lidhje me arsimin profesional, aq shumë të përfolur kohët e fundit, Klosi vecoi dy vitet e progresit në arsimin profesional dhe rritjen me 40% të të regjistruarve.

“Dy vitet të fundit kemi një progres të arsimit profesional. Eshtë rritur me 40% numri i nxënësve të viteve të para, si dhe janë trajnuar me kurse profesionale mbi 80% më shumë sesa në vitin 2013. Në vitin në vazhdim do të hyjë në fuqi ligji për zejtarinë, që rregullon aspekte të punës së denjë. Një ligj i ri për arsimin profesional rrit cilësinë dhe lidhet me tregun e punës, formalizimit dhe praktikave të punës”, shtoi ai.

Në fushën e mbrojtjes sociale, Klosi tha se janë duke u realizuar tre reforma madhore, ajo e ndihmës ekonomike, reforma e vleresimit të përsonave me aftësi të kufizuar dhe reforma e shërbimeve shoqërore”, u shpreh ministri Klosi.

Programi i ri i integrimit social, sipas Klosit, synon mundësi për punësimin e qëndrueshëm për anëtarët e familjes, pjesë e skëmës ekonomike. Gjithashtu, Klosi tha se Ministria e Mirëqënies po punon edhe për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe së shpejti do të kemi edhe linjen e këshillimit falas për viktimat e dhunës në familje.