Ministri i Ekonomisë së Turqisë takime me Ramën e Gjiknurin për zgjerimin e bashkëpunimit

Kryeministri Edi Rama priti në një takim Ministrin e Ekonomisë së Turqisë Nihat Zeybekçi, i cili ndodhet në vendin tonë në kuadrin e zgjerimit të marrëdhënieve ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare.

Kryeministri Rama dhe Ministri turk i Ekonomisë diskutuan lidhur me hapësirat e reja të bashkëpunimit mes Turqisë dhe Shqipërisë, nëpërmjet investimeve në fusha të ndryshme me interes të përbashkët. Duke vlerësuar Shqipërinë si një vend mik e partner të rëndësishëm të Turqisë, Ministri turk Nihat Zeybekçi shprehu angazhimin e qeverisë turke për të intensifikuar dhe thelluar kryesisht bashkëpunimin në dimensionin ekonomik. Nga ana e tij, Kryeministri Rama u shpreh se qeveria shqiptare ofron një qasje krejt të re ndaj investimeve të huaja, nëpërmjet një kuadri ligjor inkurajues dhe nxitës të këtyre investimeve. Kryeministri siguroi për mbështetjen e qeverisë shqiptare ndaj investimeve turke në vend, duke i konsideruar ato si një shtysë e rëndësishme për zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve mike.
Ndërkaq delegacioni turk i kryesuar nga Ministri i Ekonomisë Z. Nihat Zeybekci është pritur edhe nga Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri. Gjiknuri vlerësoi kontributin që ka dhënë biznesi turk në zhvillimin ekonomik të vendit duke konstatuar se aktualisht ka biznese turke që veprojnë si në fushën e energjitikës ashtu edhe në industrinë minerare. Z.Gjiknuri vlerësoi se është momenti që bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve të mund të intensifikohet dhe numri i bizneseve turke që zgjedhin të investojnë në Shqipëri të rritet. Ministri Gjiknuri u shpreh se qeveria shqiptare do të garantojë një mjedis sa më miqësor dhe nxitës për investimet e huaja. Ministri theksoi se Shqipëria ka mundësi të përfitojë nga eksperienca turke në çështjen e zbatimin e politikave të partneritetit publik-privat në fushën e energjisë. Ministri Zeybekci nënvizoi se Shqipëria është partner i rëndësishëm dhe me rëndësi strategjike për Turqinë. Sipas tij, ekzistojnë hapësira për ta intensifikuar bashkëpunimin midis dy vendeve. Z.Zeybekci tha se në të ardhmen do të vijnë edhe më shumë biznese turke që do të zgjedhin të investojnë në Shqipëri. Zyrtari turk nënvizoi se korridoret energjitike marrin edhe më shumë vlerë ndërsa Shqipëria bëhet pjesë e tyre.

Advertisement