Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti të premten ministren e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Marrëdhëniet Rajonale të Landit të Bavarisë, dr. Beate Merk me të cilën bisedoi rreth forcimit të bashkëpunimit dypalësh.
Dy zyrtarët, mes të tjerash, u ndalën në fenomenin e azilkërkimit në Evropë duke vënë në dukje se Shqipëria është një vend i origjinës së sigurte dhe se më shumë duhet bërë për konkretizimin e iniciativave të punësimit të ligjshëm në Gjermani.
Zhvillimi ekonomik dhe rritja e investimeve në rajonin tonë, u shpreh Meta, do të kontribuojnë në rënien e këtij fenomeni, ndërsa sa i takon azilkërkimeve nga rajone të tjera lufte, Shqipëria është e gatshme të marrë përgjegjësitë e saj përkrah Gjermanisë dhe partnerëve evropianë.
Duke e vlerësuar vizitën e ministres bavareze në Tiranë si një hap përpara në thellimin e kontakteve me Landin e Bavarisë, Meta diskutoi me znj. Merk mbi mundësitë e shkëmbimit të ekspertizës në fushën e arsimit profesional, si një prioritet për të rinjtë shqiptarë, ku Bavaria gëzon kapacitete tepër të avancuara. Ministrja shprehu vullnetin për konkretizimin e bashkëpunimit arsimor dhe ekonomik me Shqipërinë.
Dy zyrtarët u ndalën gjithashtu në fenomenin e azilkërkimit në Evropë duke vënë në dukje se Shqipëria është një vend i origjinës së sigurt dhe se më shumë duhet bërë për konkretizimin e iniciativave të punësimit të ligjshëm në Gjermani. Z. Meta u shpreh se fokusi tek zhvillimi ekonomik dhe rritja e investimeve në rajonin tonë do të kontribuojnë në rënien e këtij fenomeni dhe se për sa i përket azilkërkimeve nga rajone të tjera lufte, Shqipëria është e gatshme të marrë përgjegjësitë e saj përkrah Gjermanisë dhe partnerëve të saj evropianë.
Në përfundim, Meta dhe Merk duke vlerësuar marrëdhëniet tradicionale të Landit të Bavarisë me vendet e rajonit tonë, vunë në dukje rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në mbarëvajtjen e stabilitetit, sigurisë dhe forcimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajonin e Evropës Juglindore.