Meta: Shqipëria në vijën e parë të luftës kundër terrorizmit

Kryetari i Kuvendit, njëherësh lider i LSI-së, Ilir Meta, duke folur në mbledhjen e sotme të Komitetit Drejtues Kombëtar të kësaj partie, teksa iu referua ngjarjeve tragjike të një jave më parë në Paris, u shpreh krenar për pozicionimin e qartë dhe  të kahershëm të Shqipërië në luftën kundër terrorizmit.

“Jemi krenarë që Shqipëria ka qenë në vijën e parë në luftën kundër terrorizmit, përpara ngjarjeve të 11 shtatorit në SHBA dhe vazhdon të jetë në vijën e parë të kësaj lufte, sepse terrorizmi është një kërcënim për njerëzimin, ashtu sikurse jemi krenarë për harmoninë  fetare që shkëlqen në vendin tonë. Ne duhet ta mbrojmë me pasion dhe krenari këtë vlerë, sepse edhe vet islami predikon paqe dhe harmoni”, u shpreh Meta

Advertisement

Në vijim të fjalës së tij, kreu i LSI-së shprehu kënaqësinë lidhur me arritjen e konsensusit për ligjin e dekriminalizimit, një arritje sipas tij, e vonuar, pasi shqiptarët nuk e meritonin këtë problematikë që u krijua për një kohë shumë të gjatë.

Për Metën, konsensusi politik për ligjin e dekriminalizimit do t’i shërbejë edhe realizimit të reformës në drejtësi.

”Tani që kemi mbyllur pengesën e parë duhet të realizojmë me përpjekje edhe më konsensuale dhe bashkëpunuese, reformën në drejtësi. Është një reformë e domosdoshme, jo vetëm për luftuar në themel korrupsionin dhe krimin e organizuar, si fenomen mjaft shqetësues i përmendur edhe në progress-raportin e fundit të KE-së, por edhe si detyrim ndaj qytetarëve, për t’i dhënë fund kalvarit të gjatë në gjykatat e vendit. Duhet të ndërtojmë një sistem drejtësie me integritet dhe efeketiv”, nënvizoi Meta.

Sa i përket buxhetit të 2016, ai shprehu angazhimin e LSI-së dhe specialistëve të saj për të miratuar një buxhet sa më social.

Ndërsa theksoi se nuk mund të bëhet politikë e pastër me forma të dyshimta financimi, ai shprehu besimin se sistemi politik në vend e ka detyrim transparencën në mënyrën se si financohet, ku iu referua vendimit të fundit të kryesisë së LSI-së, për të publikuar online cdo të ardhur apo shpenzim nga ky subjekt politik.