Kryetari i Kuvendit Ilir Meta zhvilloi një vizitë në Ambasadën e Francës në Tiranë ku u takua me Ambasadorin, Bernard Fitoussi, për t’i shprehur ngushëllime për ngjarjen tragjike të ndodhur në Paris.
Pasi shkroi një mesazh në Librin e Ngushëllimeve, Kryetari i Kuvendit në një prononcim për mediat tha se marshimi i zhvilluar dje në Paris ishte tregues i qartë i triumfit kundër terrorizmit. “Dëshiroj të shpreh edhe njëherë tjetër këtu në Ambasadën e Republikës Franceze besimin më të plotë se Franca e lirisë, Franca e të drejtave të njeriut, Franca e shpresës, do të triumfojë dhe mendoj se marshimi i djeshëm në Paris ishte tregues i qartë i këtij triumfi kundër terrorizmit, frikës dhe pasigurisë që ai kërkon të mbjellë dhe të shpërndajë në Europë. Ky triumf mendoj se i ka rrënjët jo vetëm në historinë dhe traditën e shkëlqyer dhe mjaft frymëzuese të popullit francez, por njëkohësisht edhe tek ai solidaritet i jashtëzakonshëm ndërkombëtar që u shfaq dje në Paris dhe ku Shqipëria ndodhet gjithmonë në vijën e parë. Jo vetëm të këtij solidariteti, por edhe të luftës kundër terrorizmit, një rrezik për të gjithë njerëzimin, i cili jam i bindur që do të mposhtet duke forcuar bashkëpunimin dhe solidaritetin në mënyrë të jashtëzakonshme”, tha z. Meta. Kreu i Kuvendit shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen e përfaqësuesve të gjithë komuniteteve tona fetare në marshimin e djeshëm në Paris. “Shqipëria vazhdon dhe do të jetë një shembull i shkëlqyer i harmonisë dhe i mirëkuptimit midis komuniteteve të ndryshme fetare duke treguar kështu një shembull të shkëlqyer të tolerancës”, theksoi z. Meta. Në Librin e Ngushëllimeve z. Meta ka shkruar: “Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e jetëve të pafajshme të ditëve të fundit në Francë pas sulmit terrorist në “Charlie Hebdo” pranë Ambasadës franceze në Tiranë, shpreh besimin e fortë se Franca e lirisë dhe e shpresës do të triumfojë përsëri edhe falë solidaritetit të jashtëzakonshëm ndërkombëtar ku Shqipëria ndodhet në vijën e parë të përkrahjes, por edhe luftës kundër terrorizmit.”