Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta zhvilloi një mëngjes pune me ish-
Kancelarin e Republikës Federale të Gjermanisë, Gerhard Schroeder. Kancelari Schroeder u shpreh se Gjermania do t’i qëndrojë fjalës së saj për të mbështetur avancimin e Shqipërisë drejt procesit të negociatave për anëtarësim në BE dhe vuri në dukje se “ka ardhur koha që Shqipëria jo vetëm të marrë vendimet e duhura, por edhe t’i zbatojë ato”. Duke iu referuar reformës së drejtësisë, Schroeder nënvizoi se ka arsye të mjaftueshme për të qenë pozitivë për të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe tërë rajonit të Ballkanit.
Nga ana e tij Meta u shpreh se legjitimiteti i reformës në drejtësi
që buroi nga arritja e konsensusit gjatë muajit korrik “duhet pasuar nga një proces thelbësor i dekriminalizimit total të mbarë jetës politike e parlamentare shqiptare me qëllim që në parlamentin e ardhshëm të sigurohet integriteti dhe përfaqësimi i duhur e dinjitoz i popullit shqiptar”.