Meta në Jalë: Ndryshim i madh në politikë e në vendimmarrje në favor të të rinjve

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta mori pjesë në ceremoninë hapëse të kampingut të LRI-së në bregdetin e Jalës në Vlorë.

Një aktivitet tradicional tashmë që organizohet për të shtatin vit radhazi dhe ku marrin pjesë mbi 500 të rinj e të reja nga i gjithë vendi, anëtarë e simpatizantë të forumit rinor të LRI-së.

Advertisement

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe Ambasadori i Austrisë në Tiranë, Thomas Schnöll, Ambasadori i Izraelit, Boaz Rodkin, Zv. Ambasadori i Francës, Didier Guilbert, Sekretarja e Përgjithshme e Internacionales së të Rinjve Socialistë (International Union of Socialist Youth-IUSY), Evin Incir si edhe deputetët e LSI-së, Monika Kryemadhi, Kejdi Mehmetaj dhe etrit Vasili.

Në fjalën përshëndetëse të mbajtur para qindra të rinjve që marrin në pjesë në këtë kamping disaditor, Ilir Meta tha se LRI-ja dha një kontribut të rëndësishëm në fushatën e fundit zgjedhore, sidomos në Tiranë, duke arritur edhe rezultate mjaft të mira. Gjithashtu, lideri i LSI-së theksoi faktin që në 13 anëtarë të këshillit bashkiak të Tiranës, 9 vijnë nga radhët e Lëvizjes Rinore për Integrim.

“Rezultati më i shkëlqyer padyshim që u arrit në qytetet më të mëdha të Shqipërisë falë punës së LRI-së dhe sidomos në Tiranë ku padyshim LRI-ja ishte ajo që e drejtoi pothuajse të gjithë fushatën, ashtu sikurse drejtoi edhe gjithë listën e kandidatëve tanë. Dhe besoj që është një fakt i jashtëzakonshëm që nuk ndodh askund tjetër, vetëm në Lëvizjes Socialiste për Integrim, që në 13 këshilltarë e zgjedhur në Këshillin e Bashkisë së Tiranës, 9 të jenë të Lëvizjes Rinore për Integrim”, tha Meta.

Ai shtoi se shumica e votuesve të LSI-së i takojnë gjeneratës së re, sepse cilësitë dhe aftësitë e tyre mbeten shumë të spikatura, ashtu sikurse e kanë treguar vazhdimisht kudo në të gjitha debatet dhe eventet publike.

“Ky rezultat është tërësisht i merituar, sepse shumica e votuesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim i takojnë gjeneratës tuaj, gjeneratës më të re, por jo vetëm për këtë arsye, por edhe për shkak sepse cilësitë dhe aftësitë tuaj dhe të përfaqësuesve tuaj kanë qenë dhe mbeten shumë të spikatura, ashtu sikurse e tregoni vazhdimisht kudo në të gjitha debatet, në të gjitha eventet publike ku të rinjtë dhe përfaqësuesit e Lëvizjes Rinore për Integrim dallojnë në mënyrë të veçantë për aftësitë e tyre, për argumentet e tyre, për bindjen e tyre. Natyrisht që në të gjithë këtë rrugëtim një ndikim të veçantë ka edhe Jala që zhvillohet për të shtatin vit radhazi”, deklaroi Kryetari i LSI-së.

Ndërkaq, Meta u shpreh se të rinjtë duhen motivuar që të mësojnë sa më shumë dhe të përmirësohen çdo ditë, sepse Shqipëria Europiane do të mbetet thjesht një slogan, në rast se nuk është në gjendje dhe e aftë të jetë një Shqipëri që konkurron vetëm përmes një rinie më të arsimuar e më të kualifikuar.

“Dua t’ju falënderoj edhe një herë për faktin që ju në përgjithësi mësoni. Unë i dua shumë ata që mësojnë dhe ne duhet t’i motivojmë të gjithë të rinjtë të mësojnë sa më shumë, të përmirësohen përditë sepse Shqipëria europiane do të mbetet thjesht një slogan në rast se nuk është në gjendje dhe e aftë të jetë një Shqipëri që konkurron dhe mund të konkurrojë vetëm përmes një rinie më të arsimuar, më të kualifikuar, më të aftë e cila njeh jo vetëm sfidat e vendit, por njeh edhe sfidat evropiane, sfidat globale dhe është në gjendje gjithmonë t’i paraprijë atyre”, tha ndër të tjera Kryetari i LSI-së.

Në fund, Ilir Meta u shpreh se Shqipëria është e të rinjve dhe kjo do të thotë një ndryshim i madh në politikë e në vendimmarrje në favor të të rinjve, sepse sfidat që ka vendi do të vazhdojnë të jenë më të vështira.

“Shqipëria është e të rinjve dhe kjo do të thotë një ndryshim i madh në politikë e në vendimmarrje në favor të të rinjve, sepse sfidat që ka vendi do të vazhdojnë të jenë më të vështira. Dua t’ju falënderoj juve por në mënyrë të veçantë dua të falënderoj prindërit tuaj, që kanë besim te ju, që kanë besim te LRI. Dua t’i falënderoj ata jo vetëm për këtë arsye por edhe sepse ju mbështesin, mbështesin arsimimin tuaj, në gjithçka që ju përpiqeni për të ardhmen tuaj dhe absolutisht që jam i bindur se ky angazhim, ky investim që ju bëni në LRI është dhe do të jetë një mbështetje e fuqishme jo vetëm për të ardhmen tuaj, por për të ardhmen e të gjithë gjeneratës tuaj”, deklaroi kryetari i LSI-së, Ilir Meta në fjalën e tij përshëndetëse.